KEK do të eksportojë deri në 73.2 milionë euro thëngjill në Maqedoninë e Veriut


E martë, 18 Gusht 2026
KEK do të eksportojë deri në 73.2 milionë euro thëngjill në Maqedoninë e Veriut

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) do të eksportojë përgjatë tri viteve deri në 73.2 milionë euro thëngjill në Maqedoninë e Veriut, ka bërë të ditur Qeveria e Kosovës.

Sipas njoftimit, kontrata është lidhur për herë të parë mes dy kompanive publike, KEK dhe ESM.

Çmimi i përcaktuar është 24.4 euro për ton, pa TVSH, i cili sipas Qeverisë është dukshëm më i favorshëm për KEK-un krahasuar me kontratat e mëparshme të realizuara përmes ndërmjetësuesve.

Qeveria ka rikujtuar se në eksportin e fundit të thëngjillit në Maqedoninë e Veriut, KEK-u e kishte shitur atë për vetëm 8 euro për ton, çmim që përfshinte edhe tantiemën prej 3 eurosh dhe TVSH-në prej 18 për qind.

Sipas Qeverisë, kjo kontratë nuk do të ndikojë në prodhimin e energjisë elektrike në Kosovë. ESM do të jetë përgjegjëse për eskavimin dhe transportin e thëngjillit të blerë nga KEK-u.


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit