Komunat kundër mbylljes totale të vendit gjatë festave të fundvitit


E martë, 15 Dhjetor 2020

PRISHTINE – Kryetarët e komunave të Kosovës janë kundër mbylljes totale të vendit gjatë festave të fundvitit, ndërkaq theksojnë se duhet të vazhdohet me masat kufizuese që janë ndërmarrë gjatë muajit nëntor.

Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi në një deklaratë për Telegrafin, pohoi se nëse Ministria e Shëndetësisë ndërmerr masa të reja atëherë ato duhet të bëhen në konsultim me komunat.

“Nuk kemi diskutuar për masat gjatë fundvitit, kemi diskutuar për situatën aktuale, sa komunat janë të kënaqura me bashkëpunimin ndërinstitucional, d.m.th çështja e diasporës tash që ka mundësi me ardh, me ju kushtu vëmendje të veçantë në atë kuptim që mos me paraqit Kosovën si vendin me infeksione të larta. D.m.th çështja e kategorizimit të komunave, nuk kemi diskutuar për masat e ardhshme, por nëse ndërmerren masa të reja atëherë kemi biseduar me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, që ta kemi edhe një takim edhe që këto masa të mos ndikojnë në ekonomi”, u shpreh ai.

Theksojmë se masat e reja kufizuese kanë hyrë në fuqi më 13 nëntor, ku komunat kategorizohen sipas numrit të personave të infektuar, shkruan Telegrafi.

Kategorizimi i komunave së fundi është bërë më 11 dhjetor, ku në zonën e kuqe janë 16 komuna, në zonën e verdhë 9 komuna dhe në zonën e gjelbër 13 komuna.

Ndryshe, në 24-orët e fundit në Kosovë janë konfirmuar 329 raste të reja me coronavirus, ndërsa numri i viktimave ka arritur në 1 mijë e 203.

Etiketa: , , , ,