E martë, 3 Nëntor 2026

Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave ka mësuar kundërshtaret për edicionin e ri të UEFA Ligës së Kombeve.
Dardanet do të garojnë në Ligën B, ku shorti i hedhur të martën në selinë e UEFA-s në Nion i vendosi në Grupin B4, së bashku me Slloveninë, Turqinë dhe Hungarinë.
Në ceremoninë e tërheqjes së shortit, Federata e Futbollit e Kosovës u përfaqësua nga shefja e futbollit të femrave, Valbona Gashi Uka, dhe përzgjedhësja e Kombëtares, Sanije Krasniqi.
Në edicionin e ri, Liga A dhe Liga B do të përbëhen nga 16 kombëtare secila, ndërsa 22 kombëtaret e tjera do të garojnë në Ligën C.
Liga A dhe Liga B do të ndahen në nga katër grupe me nga katër skuadra, ndërsa Liga C do të përbëhet nga gjashtë grupe, katër prej të cilave me nga katër skuadra dhe dy me nga tri skuadra.
Ndeshjet e xhiros së parë dhe të dytë të fazës së grupeve do të zhvillohen në periudhën 23 shkurt – 6 mars 2027.
Ndeshjet e xhiros së tretë dhe të katërt janë paraparë për periudhën 13–24 prill, ndërsa ndeshjet e dy xhirove të fundit të fazës së grupeve do të zhvillohen nga 7 deri më 15 qershor 2027.
Burimi: 04online
