KQZ i certifikon nesër listat e kandidatëve për deputetë


E hënë, 22 Maj 2017


KQZ tashmë është në përfundim të korrigjimit të listave me emrat e kandidatëve për deputet ë nga radhët e partive politike kosovare. Kështu ka bërë me dije të hënën për Express, Miradije Mavriqi, drejtoreshë në Zyrën për Regjistrim të partive politike.

Mavriqi ka theksuar se procesi i korrigjimit tashmë është drejt fundit.

“Ne akoma jemi në proces. Me 23 kryhet certifikimi. Faktikisht jemi duke e përfunduar kontrollimin. Është e drejtë e partive politike që të sjellin emra apo t’i ndërrojnë deri në momentin kur përfundon certifikimi i subjekteve politike”, ka thënë ajo për Express.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u shpallën pas shpërbërjes së Kuvendit të Kosovës, të cilit i parapriu një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së Isa Mustafës, i ngritur nga partitë opozitare dhe mbështetur nga partneri në koalicion qeverisës, PDK.

Etiketa: , ,