Kryeministri palestinez: Mbështetja ndërkombëtare për Izraelin është ‘licencë për më shumë vrasje’


E hënë, 23 Tetor 2023

RAMALLAH – Kryeministri palestinez Mohammed Shtayyeh të dielën tha se mbështetja ndërkombëtare për Izraelin, i cili ka vazhduar bombardimet e tij në Rripin e Gazës që nga sulmi i papritur i 7 tetorit nga Hamasi, është një “licencë për vrasje dhe shkatërrime të mëtejshme”.

Shtayyeh, në një takim me ambasadorët, përfaqësuesit dhe të dërguarit e vendeve të ndryshme në Ramallah, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe vendeve vëllazërore që të krijojnë një “front të unifikuar për të ndaluar agresionin kundër popullit tonë dhe planet për zhvendosje dhe pushtim tokësor të Rripit të Gazës”, si dhe për t’i bërë presion Izraelit që të lejojë hyrjen e ndihmës mjekësore”, thuhet sipas njoftimit të zyrës së tij.

Ai theksoi “nevojën për të krijuar dhe nisur një rrugë politike efektive për t’i dhënë fund okupimit, për të arritur një zgjidhje me dy shtete dhe për të krijuar një shtet palestinez”.

Shtayyeh tha se ndalimi i sulmeve izraelite në Rripin e Gazës dhe lejimi i hyrjes së ndihmës mjekësore dhe humanitare janë prioritetet e tij kryesore.

“Qeveritë e njëpasnjëshme në Izrael kanë ndjekur një strategji të shkatërrimit sistematik deri në mundësinë e një zgjidhjeje me dy shtete,” tha ai, duke shtuar se qeveria e udhëhequr nga Benjamin Netanyahu po ndjek një politikë “përça dhe sundo, duke u përpjekur të ndajë Gazën nga palestinezët.”

“Përveç agresionit kundër popullit tonë në Rripin e Gazës, ne në Bregun Perëndimor jemi subjekt i terrorizmit nga ushtria izraelite dhe kolonët. Ka thirrje për të inkurajuar kolonët që të marrin armët”, tha ai.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme palestineze tha se zyrtarët izraelitë “injorojnë qëllimisht çështjen palestineze dhe nënvlerësojnë thirrjet ndërkombëtare për përshpejtimin e procesit të zgjidhjes”.

Ministria në një deklaratë tha se zyrtarët izraelitë “vazhdojnë të rrahin daullet e një lufte shkatërruese… që do të thotë të kryejnë më shumë krime”.

Etiketa: , ,
Të fundit