E enjte, 14 Maj 2026

Kryeministrja e Letonisë, Evika Silina ka dhënë dorëheqje pasi një nga partitë në koalicionin qeverisës tërhoqi mbështetjen për qeverinë, duke shkaktuar rrëzimin e saj, transmeton Anadolu.
Transmetuesi publik LSM raportoi se Silina duke folur në një konferencë për media tha se i ka dorëzuar letrën e dorëheqjes presidentit Edgars Rinkevics, duke shtuar se qeveria aktuale do të vazhdojë të kryejë detyrat e saj derisa të formohet kabineti i ri.
Kriza u përshkallëzua pasi partneri i koalicionit “Progresistët” dje njoftoi se nuk është më i gatshëm të punojë në qeverinë aktuale. “Ky nuk është një vendim i lehtë, por është vendimi i duhur në këtë situatë”, tha Silina duke akuzuar rivalët politikë se kanë vendosur “xhelozinë politike dhe interesat e ngushta partiake” mbi përgjegjësinë.
Ajo gjithashtu mbrojti emërimin e kolonelit Raivis Melnis për postin e ministrit të Mbrojtjes pas dorëheqjes së ish-ministrit të mbrojtjes, Andris Spruds. “Duke parë një kandidat të fortë për postin e ministrit të Mbrojtjes, disa politikanë kanë zgjedhur një krizë, një krizë qeveritare”, tha ajo.
Sipas raportit, konsultimet midis presidentit dhe fraksioneve parlamentare pritet të fillojnë nesër për të diskutuar formimin e një qeverie të re. Përçarja në koalicion vjen pas tensioneve politike në rritje të lidhura me incidentet e fundit me dronë dhe çështje të sigurisë në Letoni si dhe mosmarrëveshjeve brenda aleancës qeverisëse.
Më herët, kreu i fraksionit parlamentar të “Progresistëve”, Andris Suvajevs paralajmëroi se qeveria mund të rrëzohej nëse një votë mosbesimi ndaj kryeministres Silina do të procedohej në parlament.
Silina, nga aleanca e qendrës së djathtë “Uniteti i Ri”, mori detyrën si kryeministre e Letonisë në shtator 2023.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
