Kthehet në punë njëra njësi e TC “Kosova A”, stabilizohet furnizimi me rrymë


E premte, 24 Korrik 2015

Në orët e hershme të mëngjesit, respektivisht në ora 4 të mëngjesit, KEK ka njoftuar për kthimin në prodhim të njërës njësi të termocentralit “Kosova A”.

KEDS, përmes një njoftimi për media, ka bërë të ditur se tashmë gjendja e furnizimit me energji elektrike është stabilizuar.

“Dëshirojmë të falënderojmë KEK-un për arritjen e tyre inspiruese për kthimin e një njësie në prodhim duke ndihmuar kështu edhe balancimin e sistemit energjetik në Kosovë”.

“Ashtu siç kemi bërë dje, në raste të tilla emergjente, ne do të qëndrojmë pranë konsumatorëve dhe do të gjejmë zgjidhjet më të mira të mundshme vetëm që devijime të tilla të paplanifikuara të mos ndikojnë në furnizimin e rregullt me energji elektrike”.

“Për më shumë, dje në orët e pasdites kemi arritur të realizojmë import të konsiderueshëm dhe të kushtueshëm të energjisë elektrike, për të siguruar furnizim të rregullt me energji elektrike, përderisa furnizimi i rregullt po vazhdon edhe sot”.

“Siç kemi sqaruar edhe dje, në raste të tilla emergjente shpesh devijimet mund të shkaktojnë problem edhe në realizimin e importit emergjent të nevojshëm, por sidoqoftë, si sektor energjetik kemi dëshmuar që qëndrojmë pranë konsumatorëve dhe në mënyrë proaktive kemi ndërmarrë të gjitha hapat për të siguruar furnizim të rregullt”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.

Etiketa: ,
Të fundit