E premte, 17 Shkurt 2023
PRISHTINË – Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka thirrur për 27 shkurt takimin në nivel të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti”, thuhet në komunikatën e Bashkimit Evropian.
BE-ja tha se në këtë takim, temë e diskutimit do të jetë propozimi evropian për normalizimin e plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Fillimisht Borrell dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të takohen me liderët, dhe më pas do të ketë një takim të përbashkët.
Kurti dhe Vuçiq nuk kanë zhvilluar takim në kuadër të dialogut të Brukselit që nga nëntori i vitit 2022.
Vitin e kaluar, Kosovës dhe Serbisë iu dorëzua propozimi evropian, apo siç njihet edhe si propozimi franko-gjerman.