Kurti pret ambasadorin e ri të BE-së në Kosovë, diskutohet rruga drejt anëtarësimit


E hënë, 14 Shtator 2026
Kurti pret ambasadorin e ri të BE-së në Kosovë, diskutohet rruga drejt anëtarësimit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim shefin e ri të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Dirk Schuebel, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe BE-së, si dhe procesin e integrimit evropian.

Kurti e ka uruar Schuebelin për marrjen e detyrës së re, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë gjatë mandatit të tij.

Në takim, ambasadori Schuebel e ka uruar Kurtin për rizgjedhjen në pozitën e kryeministrit dhe për formimin e Qeverisë së re.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, përmes një procesi të bazuar në merita.

Ai ka deklaruar se Kosova është plotësisht e linjëzuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, ndërsa ka nënvizuar se vendi ndan të njëjtat vlera dhe vizion me Bashkimin Evropian.

Gjatë takimit është vlerësuar edhe progresi i Kosovës në forcimin e demokracisë, respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe sundimin e ligjit.

Një pjesë e diskutimeve i është kushtuar stabilitetit institucional dhe rëndësisë së tij për zbatimin e Agjendës së Reformave, e cila lidhet me procesin e integrimit evropian.

Sipas Kurtit, reformat e nevojshme janë kryesisht të natyrës ligjore dhe kërkojnë një Kuvend funksional.

Në takim është diskutuar edhe për zhvillimin ekonomik të vendit, rritjen e investimeve dhe programet qeveritare që synojnë përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, zhvillimin ekonomik dhe rritjen e punësimit.


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit