Lista Serbe paraqet kërkesë të re për tërheqjen e protestuesve


E hënë, 29 Maj 2023

ZVECAN – Pasditen e 29 majit, përfaqësuesit e Listës Serbe kanë paraqitur një kërkesë të re, në mënyrë që protestuesit serbë të tërhiqen nga ndërtesat e komunave në veri, ku edhe janë tubuar.

Pas bisedës me një kolonel amerikan të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Igor Simiq dhe Dragisha Milloviq, nga Lista Serbe kërkuan që njësitë speciale të Policisë së Kosovës, të zëvendësohen me trupat e KFOR-it, në mënyrë që këta të fundit të ruajnë ndërtesat komunale.

“Mund të them se ka qenë vërtet një bisedë korrekte, se koloneli e kupton situatën në të cilën jemi të gjithë. Kërkesa jonë ka qenë që njësitë speciale të tërhiqen nga ndërtesa e komunës, të largohen nga ndërtesa e komunës dhe sigurinë ta marrë KFOR-i. Ai [koloneli] po flet tani me komandantin e përgjithshëm të KFOR-it për kërkesën tonë”, tha Milloviq para të të tubuarve.

“Presim përgjigje se çfarë do të na thotë koloneli amerikan i KFOR-it”, shtoi ai.

Më herët gjatë ditës, kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se ishin dy kërkesa që ua kishte përcjellë përfaqësuesve të KFOR-it dhe ambasadorëve të huaj në Prishtinë, në mënyrë që protestuesit serbë të tërhiqen.

“Kërkesat tona janë që sherifët – siç e quajnë veten – të paligjshëm, të shkojnë në shtëpitë e tyre dhe t’i udhëheqin të afërmit e tyre. Dhe, të gjitha njësitë speciale në ndërtesën e komunës, përreth komunës, të tërhiqen në jug, sepse ky nuk është stacion policie, është bashki e qytetit”, tha Rakiq, duke folur nga Zveçani.

Më 29 maj, serbët po protestojnë para ndërtesave komunale të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë të këtyre komunave.

Policia e Kosovës, por edhe trupa të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë shtuar prezencën e tyre në veri./REL

Etiketa: , , ,
Të fundit