E martë, 15 Shtator 2026

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk planifikojnë t’i vazhdojnë bisedimet me njëra-tjetrën gjatë ditëve në vijim rreth çështjes së presidentit të ri të Kosovës, pas tërheqjes së Bekim Sejdiut nga kandidatura për postin e të parit të shtetit.
Nga LDK-ja, parti opozitare me 18 vende në Kuvendin e Kosovës, nuk e konsiderojnë të udhës të takohen për këtë çështje me përfaqësuesit e partisë në pushtet, LVV, para se Gjykata Kushtetuese e Kosovës të nxjerrë një vendim rreth asaj nëse konstituimi i legjislaturës së 11-të ndodhi në përputhje me Kushtetutën.
“Nuk ka takime, pa vendim të Gjykatës Kushtetuese”, tha shkurt nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri për REL.
Pezullimin e bisedimeve për presidentin e konfirmuan edhe burime të REL-it brenda LVV-së, sipas të cilave nuk është planifikuar ndonjë takim për këtë javë me përfaqësuesit e LDK-së.
Më 14 shtator, Partia Demokratike e Kosovës, subjekti më i madh opozitar, e dërgoi për shqyrtim në Kushtetuese procesin e konstituimit të Kuvendit, duke i kërkuar Gjykatës edhe masë të përkohshme.
Nga PDK-ja thanë se u ankuan të hënën për mënyrën e zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, duke argumentuar se pushteti shkeli Kushtetutën me shpërfilljen e afateve kushtetuese për procesin e konstituimit të organit ligjvënës.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
