Mustafa: Thaçi si historian, nuk mund t’i zgjidhë problemet ekonomike


E hënë, 19 Maj 2014
Isa Mustafa

Isa Mustafa

Prishtinë – Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, Isa Mustafa, gjatë një vizite që iu bëri bizneseve të Rahovecit, “Osa Termosistem” dhe “Bodrum i Vjetër”, ka thënë se problemet me të cilat po përballen prodhuesit vendorë nuk mund të zgjidhet nga kryeministri në largim, i cili është një historian që nuk i kupton termet ekonomike.
“Kur flitet për problemet me të cilat përballen prodhuesit vendorë, çështja e parë që shtrohet këtu është kush i zgjidh këto probleme? A i zgjidhin historianët apo i zgjidhin ekonomistët? Kryeministri në largim që është historiani, mund të premtojë çfarë të dojë, por ai nuk i kupton termat ekonomike dhe kategoritë ekonomike. Ne ekonomistët dhe inxhinierët që merremi me ekonomi i përjetojmë këto, edhe problemin e doganës, edhe TVSH-në në import, sepse është e pamundur që kompanitë kosovare t’i përballojnë pagesës së tyre në pikat kufitare”, ka thënë kryetari i LDK-së.

Mustafa ka thënë se plani qeverisës i LDK-së parasheh që të hiqet komplet dogana për importin e makinerisë dhe pajisjeve përcjellëse që përdoren në prodhim. “Duke paguar doganë dhe TVSH në pikat kufitare për makineri, siç ka ndodh deri më tani, prodhuesit vendorë janë të pabarabartë me prodhuesit e rajonit”, ka thënë Mustafa.

Mustafa është zotuar për heqjen e detyrimit që TVSH të paguhet në import, përshkallëzimin e TVSH-së, uljen e pragut të regjistrimit të TVSH-së nga 50 mijë euro që është aktualisht në 30 mijë euro, pushimet e përkohshme tatimore për firmat investuese dhe luftimin tepër rigoroz të ekonomisë joformale.

Kreu i LDK-së, gjatë bashkëbisedimit me pronarët e bizneseve në Rahovec, ka thënë se Programi qeverisës i LDK-së, parasheh ndërrimin e modelit ekonomik dhe mbështetjen e sektorit privat, duke promovuar dhe forcuar iniciativën private, konkurrencën e lirë dhe tregun e hapur.

“Për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme LDK parasheh përgjysmim i tatimit në qarkullim nga 9 për qind në 4.5 për qind, krijimin e një Fondi investiv nga mjetet e privatizimit për bashkëfinancim të projekteve investive në prodhim, hapje e inkubatorëve dhe zonave të biznesit dhe rritjen e efikasitetit të sistemit të drejtësisë dhe mbrojtjes së investitorëve”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, LDK në Qeveri do të eliminojë barrierat ligjore dhe do ta zvogëlojë burokracinë për bizneset, ndërsa do të rishikohet edhe korniza ligjore në mënyrë që të krijohen favore për bizneset. /Telegrafi/

Leave a Reply

Të fundit