E mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, priti sot në takim kurtuazie ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, z. Rainer Rudolph.
Myftiu Tërnava fillimisht i uroi mirëseardhje ambasadorit, e më pas e njohu atë me punën, veprimtarinë dhe angazhimin e Bashkësisë Islame të Kosovës në organizimin e jetës fetare, edukimin dhe arsimimin fetar, si dhe në kultivimin e vlerave të bashkëjetesës, mirëkuptimit dhe harmonisë ndërfetare e shoqërore në vend.
Me këtë rast, Myftiu Tërnava shprehu mirënjohjen dhe falënderimin e tij për shtetin gjerman për mbështetjen dhe kontributin e dhënë për Kosovën në periudha të ndryshme, duke vlerësuar ndihmën dhe përkrahjen e vazhdueshme të Gjermanisë në procese të rëndësishme për vendin, veçanërisht duke pasur parasysh numrin e madh të qytetarëve të Kosovës që jetojnë dhe veprojnë atje, të cilët përbëjnë një urë të rëndësishme lidhëse ndërmjet dy vendeve.
Nga ana e tij, ambasadori Rainer Rudolph e falënderoi Myftiun Tërnava për pritjen dhe vlerësoi angazhimin e Bashkësisë Islame të Kosovës në jetën fetare dhe shoqërore të vendit, si dhe kontributin e saj në ruajtjen e frymës së bashkëjetesës dhe mirëkuptimit. /bislame
Burimi: mesazhi
