E diel, 2 Mars 2014
Tiranë, 2 mars – Ditën e premte është mbyllur përfundimisht aplikimi i të interesuarve për të konkurruar për në shkollën e Policisë. Fluksi i madh i të interesuarve ka bërë që të lejohen aplikime deri me 28 shkurt, ndërsa nga të dhënat që vijnë nga Policia e Shtetit bëhet me dije se janë pranuar për të konkurruar plot 10.035 persona, ndër ta, mbi 1500 janë femra.
Policia e Shtetit, po ashtu edhe Ministria e Brendshme e kanë konsideruar këtë përfshirje të madhe në aplikimin për të qenë kandidat për polic si dëshmi e besimit të qytetarëve tek transparenca e këtij procesi. Referuar të dhënave të Policisë së Shtetit bëhet me dije se në të gjithë vendin kanë aplikuar 10.035 persona, nga të cilët 1.558 femra dhe 8.477 meshkuj. Për herë të parë, është evidentuar një interes kaq i lartë i qytetarëve për të aplikuar për të ndjekur studimet në Shkollën Bazë të Policisë, gjë që dëshmon besimin e tyre tek transparenca e këtij procesi dhe shanset e barabarta të ofruara çdo aplikanti për t’u përzgjedhur për të qenë pjesë e Policisë së Shtetit. Gjithashtu, sipas Ministrisë së Brendshme dhe Policisë ky fluks i madh është tregues i besimit në rritje të qytetarëve shqiptarë tek Policia e Shtetit dhe tek puna madhore e saj për të garantuar sigurinë publike. Policia e Shtetit informon të gjithë aplikantët se gjatë ditëve në vijim do të njoftohen për datat e zhvillimit të testimit me shkrim
Konkurrimi
Konkursi mësohet se do të ndahet si gjithnjë në dy faza; në testimin me shkrim dhe në testimin fizik. Referuar të dhënave të besueshme që vijnë nga Policia e Shtetit bëhet me dije se faza e testimit me shkrim, që do të çel edhe këtë shkollë, do të jetë një test i përgjithshëm nga njohuritë që konkurruesit kanë kryesisht nga shkolla e mesme. Duke parë edhe nivelin e aplikuesve, të cilët kanë patur detyrim dorëzimin e diplomave të shkollës së mesme, mësohet se hartuesit e testit, pjesën më të madhe të pyetjeve do ta bazojnë konkretisht në këtë arsimim. Gjithashtu mësohet se në testin me shkrim mbikëqyrja si dhe korrigjimi do të jenë në standarde të larta dhe me profesionistë të të gjitha fushave nga ku do të tërhiqen pyetjet për testin. Kështu sipas të dhënave, të gjithë aplikantët për këtë shkollë, që kanë njohuri të mira nga shkolla e mesme, ose kanë një formim të kënaqshëm universal, mund të kalojnë këtë fazë. Pavarësisht se në momentin e lajmërimit për hapjen e aplikimeve, ka qenë data 3 shkurt, si data e nisjes së testimeve, Policia e Shtetit ka bërë me dije se do të njoftojë vetë të gjithë aplikantët për të gjitha datat e konkurrimit. Në fazën e dytë të konkurrimit, do të jetë testimi fizik, ku bëhet me dije se për këtë testim, sërish do të përzgjidhen si vlerësuar profesionistët më të mirë të fushës. Nuk dihet ende se cili do jetë kufiri i pikëve për të siguruar kualifikimin, pasi konkurrenti do të përballet me dy testime, që janë të ndryshme nga me njëra-tjetrën./shekulli/