E shtunë, 27 Prill 2019
TIRANË – Besimi se Këshilli Europian do të hapë negociatat e anëtarësimit në BE me Shqipërinë shoqërohet me skepticizëm dhe pasiguri nga analistë e studiues në Shqipëri.
Vlerësimet e fundit të Komisionit Europian që “Shqipëria i ka bërë mjaftueshëm mirë detyrat e shtëpisë” konsolidojnë shpresat e optimistëve. Ndërkohë faktorë të tjerë si zgjedhjet europiane ngrenë pikëpyetje mbi përbërjen dhe prioritetet e institucioneve të reja të BE: Parlamentit dhe Komisionit të ri Europian, që do të dalin pas zgjedhjeve në muajin e ardhshëm.
Skeptikët dhe pesimistët i kthejnë sytë tek kriza aktuale politike në Shqipëri, që në fakt, ka nxjerrë në pah dobësi të sistemit demokratik dhe shkujdesje ndaj vlerave europiane si dialogu dhe kompromisi. Konfererenca në Berlin për Ballkanin Perëndimor, e organizuar nga kancelarja gjermane Merkel dhe Presidenti francez Macron, më 29 Prill, ngjall pritshmëri që ajo të ndalet edhe në situatën aktuale në Shqipëri, përderisa në qendër të saj do të jetë stabiliteti dhe zhvillimi i mirë i rajonit. Krizës politike në Shqipëri nuk i mungon potenciali i destabilitetit, njofton DW.
Etiketa: Bashkimi Europian, negociatat, Shqipëria