E enjte, 19 Qershor 2014
Liderët e koalicionit opozitar, AAK dhe Nisma, janë takuar me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin. Pas takimit u tha se kanë diskutuar qëndrimet për mundësit e krijimit të Qeverisë së ardhshme.
Kurti tha se janë duke u përafruar qëndrimet, por nuk dha asgjë konkrete se për çka kanë diskutuar.
“Isha me Visar Ymerin dhe me Dardan Molliqajn, ashtu qysh e kemi mandatin nga kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje. Ndodhemi në fazën e dytë të bisedimeve, që kanë të bëjnë me dy çështje kapitale: çështja e dialogut me Serbinë dhe zbatimit të Asociacionit të komunave me shumicë Serbe, dhe çështja e privatizimeve të cilat janë bërë deri tash dhe orvatjet që ato të vazhdohen edhe në të ardhmen. Besoj që në takimet e ardhshme do të mund të gjejmë solucionet e duhura. Unë jam optimist për ecjen e mëtutjeshme në këto bisedime e që konsiston në atë se çka nuk duhet të bëjë qeveria e re në kontrast me të mbrapshtat e të pabërat e qeverisë së vjetër tashmë në ikje. Kjo nuk do të thotë që ne jemi dakorduar, pra bisedimet vazhdojnë”, ka thënë ai.
Kurse, lideri i AAK-së, Ramush Hradinaj, tha se në takim u bisedua për tema që e preokupojnë vendin.
“Askush në Kosovë nuk është kundër dialogut. Ne nuk jemi kundër dialogut, jemi për një Kosovë evropiane, por kërkohet një kualitet në dialog, një dialog parimor”, tha ai. “Unë dëshiroj me pasë një komunikim me secilin subjekt politike, në këtë rast edhe me VV-në për temat qeverisëse”.
Ndërsa, Bilall Sherifi nga Nisma, tha se gjasat e arritjes së marrëveshjes janë të mira.
“Kemi një përafrim të qëndrimeve. Ne dëshirojmë që edhe ata t’i kemi në koalicionin e ardhshëm. Jemi duke biseduar dhe konsideroj që jo vetëm ne, por edhe ata janë shumë optimist se mund të arrihet një marrëveshje e përbashkët që të krijojmë një mazhorancë shumë të fuqishme që të dimë saktë se ku do të jetë vendi pas gjashtë muajve, pas një viti, pas dy viteve. Pra, të krijojmë objektiva të qarta që të preken rezultatet e qeverisjes së ardhshme”, tha ai.
AAK, LDK dhe Nisma kanë bërë koalicion paszgjedhor, derisa janë në bisedime edhe me Lëvizjen Vetëvendosje që t’i bashkohet këtij koalicioni për formimin e qeverisë së ardhshme në vend. /KP/Telegrafi/