Përtej naftës dhe gazit: çfarë po dëmton tjetër mbyllja e Hormuzit?


E premte, 20 Mars 2026
Përtej naftës dhe gazit: çfarë po dëmton tjetër mbyllja e Hormuzit?

Bllokada e Ngushticës së Hormuzit kërcënon të shkaktojë një “stuhi të përsosur”, duke goditur përtej naftës edhe paketimin e produkteve të përditshme apo përdorimin e aplikacioneve si ChatGPT dhe Gemini.

Për çdo ditë që zgjat lufta e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, tregtia globale kufizohet në produkte që janë po aq jetike sa energjia. “Problemi i vërtetë qëndron te derivatet”-thotë Felipe Elink Schuurman nga kompania Sparta, duke paralajmëruar se kjo krizë shkon shumë përtej çmimit të një fuçie.

Përpara krizës, në Hormuz kalonin çdo ditë 5 milionë fuçi me produkte nafte. Sot, trafiku i anijeve ka rënë me 95 për qind. Nga 125 anije që kalonin zonën çdo ditë, tani qarkullojnë mesatarisht vetëm pesë.

Sipas UNCTAD, kjo ndalesë prek 19 për qind të të gjitha produkteve të rafinuara në botë, 13 për qind të produkteve kimike (përfshirë plehrat) dhe dy për qind të drithërave. India, Kina dhe Afrika Lindore janë më të prekurat, ndërsa Evropa përballet me kosto në rritje të transportit.

Një e treta e tregtisë globale të plehrave vjen nga Gjiri Persik. Ky treg është thelbësor për kultivimin e misrit, orizit dhe grurit. Vende si Sudani importojnë 54 për qind të plehrave nga ky rajon, ndërsa Australia 32 për qind.

“Pasojat për tregun global mund të jenë drastike”- vëren kompania konsulente britanike CRU, duke paralajmëruar mungesa të rënda që do të përkthehen në rritje të çmimit të ushqimeve.

Një pasojë kritike e mbylljes së objekteve në Katar është rënia e furnizimit me helium. Katari mbulon 33 për qind të prodhimit global të këtij gazi, i cili është komponent kyç për industrinë e teknologjisë dhe prodhimin e çipave.

Kjo krijon pasiguri për gjigantët si TSMC, Samsung, Nvidia dhe Apple. Nëse ndërprerja zgjat 60-90 ditë, kostoja e heliumit mund të rritet me 50 për qind. “Kjo mund të sjellë pasoja për ekonominë e ndërtimit të infrastrukturës së inteligjencës artificiale”- thonë ekspertët e Morgan Stanley.

Sulmet e fundit ndaj objekteve të naftës dhe gazit në Katar, kanë detyruar ndalimin e prodhimit e etilenit. Ky është përbërësi bazë për plastikat si PVC dhe polietileni, të cilat përdoren në shishe, materiale ndërtimi dhe pajisje shtëpiake.

Po ashtu, alumini rrezikon të arrijë në 4.000 dollarë për ton për shkak të përqendrimit të kapacitetit të shkrirjes në Gjirin Persik, i cili mbulon nëntë për qind të prodhimit botëror. Pasojat e luftës vazhdojnë të dalin në pah, pavarësisht këmbënguljes së Donald Trump se operacioni “Epic Fury” do të përfundojë shpejt.

Koha do të tregojë nëse këto efekte do të mbeten të përmbajtura, apo nëse në fund do të ndikojnë direkt në çmimin e një iPhone-i të ri apo edhe të një shisheje të thjeshtë uji.  /tesheshi.com/


Burimi: tesheshi

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit