Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Protestat në Francë, katastrofë për ekonominë

Prizren Post | 08:21 - 10.12.2018

PARIS – Protesta e jelekëve të verdhë ka qenë një katastrofë për ekonominë franceze.

Vlerësimi vjen nga ministri francez i Financave. Për katër fundjava radhazi, në Francë janë zhvilluar protesta kundër rritjes së taksës mbi karburantet, koston e lartë të jetesës dhe çështje të tjera. Rreth 125 mijë protestues dolën nëpër rrugë të shtunën me më shumë se 1700 prej tyre të arrestuar. Disa atraksione turistike, përfshirë Kullën Eiffel dhe Muzeun e Luvrit, u mbyllën në fundjavë.

Është ende herët të përllogaritet kostoja e plotë ekonomike, por është e qartë se dëmi është i madh. Ministri i Financave, Bruno Le Maire, e quajti situatën një krizë për shoqërinë dhe demokracinë: “Është një katastrofë për tregtinë, është një katastrofë për ekonominë tonë”.

Ai i bëri këto komente ndërsa vizitonte disa dyqane në Paris që u dëmtuan gjatë protestave. Kryeqyteti francez është goditur rëndë, me dritare të thyera, makina të djegura dhe me dyqane të grabitura. Por, protesta e së shtunës ka shkaktuar më shumë dëme krahasuar me atë të një jave më parë, pavarësisisht se pati më pak lëndime.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm francez, Jean Yves le Drian, iu përgjigj me zemërim Presidentit amerikan, Donald Trump, që të shtunën, në një postim në Twitter, sugjeroi se marrëveshja e Parisit për klimën ishte shkak i zemërimit.

“I them Donald Trumpit, lëre të qetë vendin tonë”, tha Le Drian.

Presidenti Emmanuel Macron, që shumë protestues do të donin të dorëhiqej, do t’i drejtohet kombit me një fjalim ditët në vijim. Mbështetja për të, sipas sondazheve, ka rënë në 23% në mesin e krizës, njofton TCH.


Etiketa:
Arivisti Company