Qeveria s’është e vetëdijshme për krizën


E shtunë, 3 Gusht 2013

Gjendja ekonomike vazhdon të jetë e rëndë e Qeveria nuk është e vetëdijshme për këtë, pohojnë njohës të çështjeve ekonomike.

Muhamet Mustafa, deputet në Kuvendin e Kosovës dhe njohës i çështjeve ekonomike, thotë se kjo është një situatë e dhimbshme, pasi që njerëzit nuk po shohin perspektivë.

“Nuk ka analiza pse bie rritja ekonomike, pse zvogëlohen investimet e jashtme, pse nuk hapen vende të punës. Hapi i parë për të ndryshuar një gjendje është të jesh i vetëdijshëm për atë gjendje. Hapi i dytë është që të bësh analizën se si duhet tejkalohet kjo gjendje. Këto nuk janë në rend dite të atyre që janë përgjegjës për këtë vend”, ka thënë ai.

Mustafa shton se ka rënie të optimizmit ekonomik, politik e social në Kosovë dhe se të rinjtë perspektiven e vetme po e shohin përmes migrimit.

“Problemet e mungesave të rritjes ekonomike, sundimi i ligjit, korrupsioni dhe pak vende pune… këto krijojnë defetizëm tek të rinjtë dhe populli i Kosovës”, ka pohuar ai, transmeton Kosovapress.

Arian Zeka, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane (OEA), thotë se Kosova ka rritje ekonomike pozitive, por të ngadaltë, e cila nuk mjafton për një zhvillim të qëndrueshëm, përmirësim të mirëqenies sociale dhe luftimin e varfërisë dhe papunësisë.

Zeka, po ashtu, thekson se po rritet pesimizmi tek qytetarët e vendit, të cilët nuk po shohin perspektive në këtë vend.

Etiketa:
Të fundit