Serbia si aleate e Rusisë, tentoi të kopjojë skenarin e Donbasit


E hënë, 9 Tetor 2023

LIVERPOOL – Në kuadër të Konferencës së Partisë Laburiste që po mbahet në Liverpool, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në drekën e organizuar me partitë simotra, ishte i ftuar si folës kryesor.

Ai u shpreh i nderuar për mundësinë që t’i drejtohet me një fjalim pjesëmarrësve në konferencë.

Ndikimi i Partisë Laburiste në fatin e Kosovës ka qenë i rëndësishëm dhe i madh, deklaroi kryeministri në krye të herës.

Dy prej momenteve më të rëndësishme në historinë e vonshme të Kosovës janë vitet 1999 dhe 2008, çlirimi përkatësisht, pavarësia, gjatë të cilave, Partia Laburiste ishte në pushtet në Mbretërinë e Bashkuar.

“Në vitin 1999, nën udhëheqjen e Tony Blair, Mbretëria e Bashkuar ishte pjesë e intervenimit ushtarak të NATO-s, për të ndaluar vazhdimin e fushatës gjenocidale nga forcat serbe… pastaj në shkurt të vitin 2008, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Mbretëria e Bashkuar, me Gordon Brown si kryeministër, ishte një nga vendet e para që njohën shtetësinë e Kosovës”, deklaroni kryeministri Kurti në fjalën e tij.

Teksa shpalosi sukseset e Republikës së Kosovës dhe arritjet e deritanishme të qeverisjes, kryeministri Kurti theksoi se edhe pse shtet për një kohë jo shumë të gjatë, Kosova po dëshmon se intervenimi i NATO-s dhe një shtet i sapoformuar mund t’i japin jetë një demokracie të plotë.

Ai foli për qeverisjen social-demokrate në Kosovë, reformat e ndërmarra, politikat sociale, të punësimit, energjetike si dhe ato në arsim, fushat prioritare të qeverisë sipas buxhetit të këtij viti, indikatorët ekonomikë dhe progresin demokratik të evidentuar në raportet ndërkombëtare. Fatkeqësisht momentumi i arritjeve dhe përparimit është duke u sfiduar në vazhdimësi nga Serbia, tha ai.

Duke folur për sulmin terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit, kryeministri Kurti u shpreh se Serbia, si një aleate e Rusisë, tentoi që të kopjojë skenarin e Donbasit me qëllim të pushtimit të veriut./Telegrafi

Etiketa: , , , ,
Të fundit