E martë, 12 Maj 2026

Departamenti i Thesarit i SHBA-së ka vendosur sanksione ndaj 12 individëve dhe entiteteve të akuzuara për ndihmë ndaj Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) në shitjen dhe transportin e naftës drejt Kinës përmes një rrjeti kompanish “front” dhe ndërmjetësish, transmeton Anadolu.
Sanksionet synojnë kompani dhe zyrtarë me bazë në Iran, Hong Kong, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Oman, të cilët SHBA-ja thotë se lehtësuan dërgesat e naftës iraniane dhe menaxhuan transaksione financiare në emër të IRGC-së.
Sipas Departamentit të Thesarit, rrjeti dyshohet se përdorte kompani fiktive në juridiksione të huaja për të fshehur rolin e IRGC-së në shitjet e naftës dhe për të transferuar të ardhurat jashtë Iranit.
Departamenti tha se disa nga dërgesat përfshinin anije të mëparshme të sanksionuara që operonin në atë që SHBA e quan “flota hije” e Iranit.
Ndër të sanksionuarit janë Ahmad Mohammadi Zadeh, i identifikuar si kreu i Selisë së Naftës Shahid Purja’fari të IRGC-së, shefi i financave Samad Fathi Salami dhe shefi tregtar Mohammadreza Ashrafi Ghehi.
Sanksionet synojnë gjithashtu disa kompani, përfshirë Hong Kong Blue Ocean Limited, Hong Kong Sanmu Limited, Ocean Allianz Shipping LLC dhe Universal Fortune Trading LLC.
Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, tha në deklaratë se SHBA do të vazhdojë përpjekjet për të bllokuar burimet e të ardhurave të Iranit të lidhura me aktivitetet ushtarake dhe bërthamore.
“Teksa ushtria e Iranit po përpiqet dëshpërimisht të riorganizohet, ‘Tërbimi Ekonomik’ do të vazhdojë t’i privojë regjimit fondet për programet e armëve, përfaqësuesit terroristë dhe ambiciet bërthamore”, tha Bessent.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
