E premte, 1 Maj 2015
Një zyrtar i administratës amerikane shpalosi disa nga qëndrimet e qeverisë së SHBA lidhur me perspektivën e Ballkanit drejt Bashkimit Evropian si dhe gjendjen dhe zhvillimet në Kosovë.
Në një seancë dëgjimi që u mbajt në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, një zyrtar i administratës shpalosi disa nga qëndrimet e qeverisë së SHBA lidhur me perspektivën e Ballkanit kah Bashkimi Evropian si dhe gjendjen dhe zhvillimet në Kosovë.
Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Brian Hoyt Yee tha në fjalën e tij para nënkomisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Evropën dhe Euro-Azinë, se ‘vizioni Amerikan për Ballkanin si pjesë e një Evrope të lirë, paqësore dhe unike është i kërcënuar më shumë se kurdoherë që nga përfundimi i luftës së ftohtë’.
Ai këtu përmendi agresionin e Rusisë në Ukrainë si dhe veprimet e grupeve terroriste të shtetit islamik në Siri dhe Irak, sfida këto që kanë theksuar rëndësinë gjeostrategjike të Ballkanit perëndimor.
“Në kontekstin e ri gjeopolitik, përpjekjet tona me aleatët dhe partnerët e Ballkanit për të krijuar një hapësirë të tregjeve të lira dhe lirinë e njerëzve që jetojnë atje janë më të rëndësishme se më parë,” tha zëvendësndihmës sekretari Yee.
Ai nënvizoi se SHBA mbështesin aspiratat e të gjitha vendeve të Ballkanit drejt së ardhmes së tyre euro-atlantike dhe se Rusia këtu nuk mund të vë veto.
Zyrtari Amerikan ka folur edhe për luftën në lindjen e mesme për ta thënë hapur se ‘vendet e Ballkanit Perëndimor janë një burim i rëndësishëm i terroristëve që shkojnë në Siri dhe Irak, sidomos kur kihet parasysh proporcioni për kokë banori në raport me popullsinë e këtyre vendeve, para se gjithash nga Bosnjë dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria.’ Ai ka thënë më tej se SHBA po ofrojnë ekspertizën e nevojshme në raste të caktuara në Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë për të ndihmuar hetuesit dhe prokurorët në ndjekjen penale të të dyshuarve për terrorizëm.
Kur është fjala tek Gjykata e Posaçme, Zëvendës ndihmësekretari Yee ka theksuar se SHBA mbështesin themelimin e saj dhe u ka bërë thirrje udhëheqësve të Kosovës që të ndërmarrin hapa për miratimin e kornizës së nevojshme ligjore.
Zyrtari Yee ka lavdëruar hapat e bërë në Kosovë si një shtet sovran dhe i pavarur dhe ka vlerësuar përparimet e konsiderueshme, siç tha në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Etiketa: Amerika, Ballkani