E premte, 24 Korrik 2026

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor ish-kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, për mosdeklarim të saktë të pasurisë, duke e dënuar me dy vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.
Aktgjykimi u shpall të premten nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Leon Perllaska. Dënimi me burgim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, ndërsa gjoba duhet të paguhet brenda tre muajve nga plotfuqishmëria e vendimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Përveç dënimit kryesor, Ahmeti u obligua të paguajë edhe 100 euro për paushallin gjyqësor dhe 100 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave.
Gjykata refuzoi propozimin e Prokurorisë Speciale për konfiskimin e pasurisë së padeklaruar në vlerë prej 172 mijë e 600 euro.
Në seancën e shpalljes së aktgjykimit ishte i pranishëm vetëm mbrojtësi i Ahmetit, avokati Arbër Istrefi.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale në dhjetor të vitit 2025, Ahmeti, gjatë kohës sa ishte kryetar i Komunës së Prishtinës, nga viti 2018 deri në vitin 2022, akuzohej se nuk kishte deklaruar saktë pasurinë pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.
Prokuroria pretendonte se ai nuk kishte deklaruar 118 mijë e 200 euro të depozituara në llogaritë e tij personale, si dhe 54 mijë e 400 euro të pranuara në llogaritë e nënës së tij, duke e çuar shumën totale të mjeteve të padeklaruara në 172 mijë e 600 euro.
Ahmeti akuzohej për veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, sipas Kodit Penal të Kosovës.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
