E premte, 6 Mars 2026

Sektori i energjisë elektrike mbetet një nga mjediset më të rrezikshme të punës në botë, ku gabimi më i vogël njerëzor, si një lëvizje e pasigurt apo harresa e një kolegu për të stakuar linjën, mund të shndërrohet në një tragjedi fatale për elektricistët në terren.
Megjithatë për herë të parë në botë, një robot revolucionar i zhvilluar në Kinë, ka kryer me sukses riparime në një linjë energjie 10 kV në Provincën Hubei, duke zëvendësuar plotësisht praninë njerëzore në kushte rreziku ekstrem.
Ky mjet i avancuar i projektuar nga Instituti i Kërkimeve të Energjisë Elektrike Hubei dhe Rrjeti Shtetëror i Wuhanit, përdor teknologji të saktë prerjeje me lazer për të hequr izoluesin dhe për të fiksuar telat me saktësi absolute pa dridhje duarsh njerëzorë dhe pa asnjë rrezik për jetën.
Sipas teknikëve të Wuhan State Grid, ky robot mund të punojë edhe në mjediset më komplekse të instalimeve elektrike dhe mbi të gjitha eliminon mundësinë e goditjes elektrike që vjen nga pakujdesia apo komunikimi të gabuar.
Ky zhvillim në Qarkun Qingshan, shënon një hap gjigant përpara për sigurinë e punëtorëve pasi robotët mund të marrin përsipër këto detyra vdekjeprurëse që marrin mijëra jetë njerëzore çdo vit në mbarë botën.
Edhe pse shumë profesionistë si elektricistët apo saldatorët mund ta shohin Inteligjencën Artificiale si konkurrencë për vendet e tyre të punës, ky rast dëshmon se teknologjia po evoluon për ta bërë jetën më të sigurt, duke zëvendësuar njeriun në operacionet ku gabimi është i pashmangshëm, por kostoja e tij është e pariparueshme. /tesheshi.com/
Burimi: tesheshi
