E premte, 22 Maj 2026

Zhgënjyes jo vetëm qëndrimi i qeverisë por edhe i jo pak hoxhallarëve ndaj Gazës
Nga Genc Sejko
Vendimi i një shqiptari për t’iu bashkuar flotiljes “Sumud”, e cila synon thyerjen e bllokadës së Gazës dhe dërgimin e ndihmave humanitare për popullsinë civile atje, është një akt guximi që jo kushdo do të kishte forcën ta ndërmerrte.
Baki Goxhaj ka qenë një nga zërat më të spikatur në Shqipëri gjatë viteve të fundit. Ai ka organizuar dhe marrë pjesë në dhjetëra protesta e aktivitete sensibilizuese, me qëllim ndërgjegjësimin e opinionit publik shqiptar për tragjedinë humanitare që po përjeton popullsia civile në Gaza.
Por edhe për tema të tjera me interes publik. Dhe, në të vërtetë, nuk besoj se ka shumë rëndësi se çfarë qëndrimi politik mund të ketë secili prej nesh për Lindjen e Mesme. Kur flitet për uri, vuajtje dhe jetë njerëzish të pafajshëm, politika dhe bindjet personale duhet të heshtin përballë asaj që na bën njerëz.
Besoj se edhe zemrat më të ftohta nuk mund ta pranojnë kurrë vrasjen e civilëve të pafajshëm, e aq më pak vdekjen e tyre nga uria. Pikërisht për këtë arsye, vendimi i Goxhajt për t’u bërë shqiptari i parë që merr pjesë aktivisht në një mision humanitar në ndihmë të popullsisë civile në Gaza, është një akt që duhet të na bëjë krenarë të gjithëve.
Duhet një guxim i jashtëzakonshëm për të ecur me vullnet të lirë drejt një rreziku të njohur, në një kohë kur bota është mësuar më shumë të numërojë viktima sesa të ndalojë tragjeditë. Por, siç ndodh shpesh, çdo monedhë ka dy anë.
Bakiu që na nderon është edhe Bakiu që na turpëron. Personalisht, ndihem i turpëruar që nuk kam bërë mjaftueshëm për të kundërshtuar atë që po ndodh sot në Gaza. I vetmi ngushëllim është se në këtë ndjenjë faji nuk jam vetëm.
Ka shumë si unë. Por ajo që më shqetëson më shumë është se ka edhe më keq se ne. Ka nga ata që kanë zgjedhur të mos shohin, sepse heshtja është bërë forma më e pranueshme e rehatisë morale në kohët tona.
Qeveria e vendit tim jo vetëm që nuk ka ngritur zërin kundër krimeve që po ndodhin atje, por në shumë raste është rreshtuar hapur në mbështetje të atyre që po kryejnë një tragjedi që bota po e sheh drejtpërdrejt.
Opozita, po ashtu, ka zgjedhur heshtjen përballë këtij realiteti, ndërsa individë të caktuar brenda saj kanë shprehur të njëjtin qëndrim mbështetës si qeveria. Në një kohë kur çdo ekran është kthyer në dëshmitar të vuajtjes, politika vazhdon të sillet sikur fjala “neutralitet” mund të lajë ndërgjegjen.
Megjithatë, turpi më i madh bie mbi komunitetin mysliman dhe mbi shumicën e hoxhallarëve, të cilët për gati tre vite kanë vepruar sikur nuk e shohin dramën e një populli të tërë.
Ky turp u bë edhe më i rëndë kur, vetëm pak ditë më parë, një vëlla i tyre në komb dhe në fe u rrëmbye në mes të detit, në ujëra ndërkombëtare, dhe sërish ata zgjodhën të heshtnin. Heshtën, ndoshta sepse në kohë të errëta heshtja shpesh shpërblehet më shumë sesa e vërteta.
Besimi që predikoni nuk është thjesht një seri ritualesh të zbrazëta apo një identitet që vishet sipas rastit. Ai është një thirrje për të qëndruar kundër padrejtësisë, për t’u dalë në krah të shtypurve, për të ushqyer të uriturin dhe për të mos heshtur përballë së keqes.
Por ju, për turpin tuaj, e keni reduktuar atë në lëvizje mekanike, në rite të përsëritura çdo ditë, pa asnjë dhembshuri, pa asnjë revoltë morale dhe pa asnjë guxim për të thënë një fjalë kur njerëzit masakrohen e vdesin nga uria.
Për gati tre vite keni parë një popull të tërë të shkatërrohet dhe keni zgjedhur të silleni sikur kjo tragjedi nuk ju përket. Madje edhe kur një vëlla juaj në komb dhe në fe u rrëmbye në mes të detit, në ujëra ndërkombëtare, ju sërish heshtët. Dhe heshtja juaj është bërë më e rëndë se çdo fjalë që mund të kishit thënë.
Lutem që Zoti i Gjithësisë të na udhëzojë, para se të dalim përpara Atij të cilit nuk i shpëton asgjë. Lutem që mëshira e tij të jetë më e madhe se zemërimi i tij dhe që ai të na shohë me dhembshuri, edhe pse ne zgjodhëm të mos shihnim. tesheshi
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
