E premte, 22 Maj 2026

Në Tiranë po mbahet takimi i 63-të i Platformës Evropiane të Autoriteteve Rregullatore (EPRA), me pjesëmarrjen e dhjetëra delegacioneve, raporton Anadolu.
Eventi organizohet nën kujdesin e Autoritetit të Mediave Audiovizive të Shqipërisë (AMA), në data 21–22 maj, duke mbledhur përfaqësues të autoriteteve rregullatore nga vendet evropiane, së bashku me institucione dhe organizata të tjera.
Pjesë e takimit është edhe delegacioni nga Këshilli i Lartë i Radios dhe Televizionit të Turqisë (RTUK), përfaqësuar nga Deniz Guler, Orhan Ozdemir, Ahmet Bugday dhe Muge Asi.
Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, në një deklaratë për mediat u shpreh se është një proces pune që po zhvillohet brenda eventit.
“Ky është eventi më i madh që Autoriteti i Mediave Audiovizive ka zhvilluar ndonjëherë. Në fakt është event i madh sa herë që Platforma Evropiane e Rregullatorëve Audiovizivë mblidhet, pasi është një platformë e cila në organizatën e saj mbledh mbi 50 rregullatorë, nga të cilët 42 janë të pranishëm sot”, tha Krasniqi.
Ajo shtoi se pavarësisht se AMA është anëtare e kësaj organizate që prej vitit 1999 “ne nuk kemi pasur mundësi ta zhvillonim më herët këtë event në Tiranë”.
Sipas Autoritetit të Mediave Audiovizive të Shqipërisë, gjatë dy ditëve do të diskutohen sfidat me të cilat përballet sot mjedisi mediatik, por edhe entet rregullatore.
Ky takim ka mbledhur së bashku përfaqësues të dhjetëra autoriteteve rregullatore nga vendet evropiane, së bashku me institucione dhe organizata të tjera ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës dhe OSBE-në.
Platforma Evropiane e Autoriteteve Rregullatore (The European Platform of Regulatory Authorities) bashkon rregullatorët e medias nga e gjithë Evropa.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
