E premte, 22 Maj 2026

SHBA-ja po planifikon të dërgojë një delegacion të nivelit të lartë të sigurisë në Kinë brenda disa javësh, me qëllim hapjen e rrugës për një vizitë të mundshme të sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, transmeton Anadolu.
Sipas raportit nga “South China Morning Post” që citon burime të paidentifikuara, delegacioni pritet të udhëhiqet nga Elbridge Colby, zv/sekretari amerikan i Mbrojtjes për politikë dhe një nga arkitektët kryesorë të Strategjisë së Mbrojtjes Kombëtare 2026.
Vizita gjithashtu synon finalizimin e përgatitjeve për një udhëtim të mundshëm të sekretarit Hegseth, megjithëse nuk është bërë publik ndonjë afat.
Presidenti amerikan, Donald Trump, javën e kaluar përfundoi një vizitë tre-ditore në Pekin, gjatë së cilës zhvilloi takime me presidentin kinez, Xi Jinping, ndër çështje të tjera, mbi tregtinë, marrëdhëniet dypalëshe dhe Tajvanin.
Hegseth ishte pjesë e delegacionit të presidentit Trump gjatë vizitës.
Sipas raportit, Kina ka sinjalizuar se nuk mund të miratojë një vizitë derisa presidenti Trump të vendosë për paketën e bllokuar prej 14 miliardë dollarësh për armë për Tajvanin.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të kinës, Guo Jiakun, përsëriti se qëndrimi i Kinës ndaj shitjes së armëve për Tajvanin është “i qëndrueshëm dhe i qartë”.
Deri tani nuk ka konfirmim zyrtar nga Washingtoni apo Pekini për vizitën e zv/sekretarit Colby.
Kina e konsideron Tajvanin si “provincë të shkëputur” ndërsa Tajvani ka insistuar në pavarësinë e tij që nga viti 1949.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
