Sot publikohen rezultatet e PISA-s


E martë, 3 Dhjetor 2019

PRISHTINË – Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi sot do të bëjë publik raportin e vlerësimit ndërkombëtar të nxënësve PISA 2018.

Ai do të mbajë një konferencë për media ku edhe do të publikojë këto rezultate.

Ish-drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, tani deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci tha se sipas të gjitha gjasave rezultatet do të jenë të njëjta, pra nivel shumë i ulët i njohurive të nxënësve tanë.

Ajo tha se kjo gjendje shumë brengosëse është kritikë e ashpër për trajtimin që i është bërë arsimit gjatë gjithë këtyre viteve si dhe kambanë për kujdes e angazhim të secilit në përmirësim të gjendjes ekzistuese.

“Këto rezultate janë alarm i fundit për vëmendjen, përgjegjësinë e përkushtimin që duhet të kemi në këtë drejtim. Të gjithë duhet të kthejmë sytë, kapacitetet e buxhetin drejt arsimit. Nuk mund të zhvillojmë ekonominë dhe mirëqenien, përparimin politik e kulturor pa edukim dhe arsimim të mirëfilltë. Edukimi është baza e zhvillimit jo vetëm individual por dhe shoqëror”, tha ajo, njofton KosovaPress.

Etiketa: , , ,
Të fundit