Specialja e vazhdon paraburgimin e Thaçit dhe Veselit


E mërkurë, 18 Tetor 2023

HAGË – Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, nuk do ta kenë fatin e njëjtë sikur të ish-kreut të OVL UÇK-së Hysni Gucati, për tu liruar nga Haga.

Kjo pasi atyre iu është vazhduar paraburgimi.

Vendimi është marrë më 16 tetor nga kryetari i trupit gjykues Charles Smith III.

Më 25 shtator 2023, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dërguar parashtresat e saj për rishikimin e masës së paraburgimit për Thaçin dhe Veselin.

Mbrojtja e Thaçit thuhet se ia kishte dorëzuar përgjigjet e tyre për këtë parashtresë më 29 shtator 2023, ndërsa ajo e Veselit më 5 tetor 2023.

Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte parashtruar se paraburgimi ndaj Thaçit vazhdon të jetë i arsyetuar dhe se nuk ka asnjë ndryshim që nga vendimi i fundit për parashkrim të kësaj mase si dhe ajo mbetet proporcionale.

Kjo ishte kundërshtuar nga mbrojtja e Thaçit.

Në arsyetimin e Gjykatës, thuhet se është i pamjaftueshëm justifikimi se Veseli dhe Thaçi mund të arratisen nga drejtësia, megjithatë thuhet se paneli është i bindur se ekziston rreziku se ata mund të pengojnë mbarëvajtjen e procesit gjyqësor dhe të kryejnë krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarët që kanë dëshmuar apo atyre që mund të ofrojnë prova në këtë rast.

Kështu, thuhet se masa e paraburgimit zbutë rreziqet ekzistuese të komunikimit dhe ofrojnë garanci të fortë kundër vizitave të pamonitoruara dhe komunikimet me anëtarët e familjes dhe vizitorët tjerë.

Nëpërmjet këtij vendimi, DHSK ka udhëzuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar që të të praqes parashtresat për shqyrtimin e radhës të paraburgimit ndaj Thaçit dhe Veselit jo më vonë se më 24 nëntor 2023.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit,

Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./KK

Etiketa: , , ,
Të fundit