E martë, 16 Korrik 2019
PRISHTINË – Kryeministri Ramush Haradinaj ka shprehur gatishmërinë për t’iu rikthyer dialogut me Serbinë me kushtin që do të diskutohet për marrëveshje brenda kufijve ekzistues.
“Ajo çka kërkon Kosova është shumë bazike. Kemi kërkuar një kornizë marrëveshjeje për njohje reciproke në kufijtë ekzistues. Kjo kornizë marrëveshjeje duhet me qenë korniza se çka negociojmë dhe asgjë tjetër”, njofton Klan Kosova.
Haradinaj komentoi edhe deklaratat e presidentit francez Emmanuel Macron, i cili në një vizitë në Beograd tha se duhet të gjendet zgjidhje kompromisi mes Kosovës dhe Serbisë.
“E falënderoj presidentin Macron për një sinqeritet të shprehur kur tha se Kosova edhe Serbia janë shtete evropiane. E falënderoj për punën që po bën në afrimin e këtyre dy popujve”.
“Kjo nuk është përshkrim se çka mund të jetë kompromisi, por është këshillë. Kjo gjuhë është e logjikshme”.
Ndërsa lidhur me taksën 100% Haradinaj tha se mund të hiqet taksa në këmbim të njohjes nëse marrëveshja e kompromisit bëhet brenda kufijve ekzistues.
Etiketa: Aktuale, Dialogu, Kosova, Ramush Haradinaj, Serbia