E hënë, 18 Maj 2026

Tespishtja është një traditë e hershme e kuzhinës shqiptare, e cila përgatitet kryesisht në zonat veriore të vendit, përfshirë edhe Kosovën.
Një ëmbëlsirë unike, me sherbet e cila kombinohet me bajame, por edhe me fruta të tjera të kombinuara nga amvisat e që ngacmojnë shijen për t’i provuar menjëherë.
Përbërësit
- 500 gr gjalpë i freskët
- 100 ml qumësht
- Një lugë kafeje sodë
- 3 vezë të freskëta
- 500 gr miell
- 100 gr sheqer
- Disa thelpinj bajamesh
Për sherbetin
- 500 gr sheqer
- 500 ml ujë
- Një lugë kafeje vanilje
Përgatitja
- Në një tenxhere të pastër dhe të madhe shtojmë gjalpin dhe sheqerin dhe i vendosim në zjarr.
- I përziejmë derisa sheqeri të karamelizohet.
- Më pas, tenxheren e largojmë nga zjarri dhe e lëmë të ftohet për disa minuta.
- Në tenxhere shtojmë qumështin dhe e vendosim sërish në zjarr.
- Vijojmë duke shtuar miellin duke e përzier me lugë druri pa ndërprerje derisa masa të trashet dhe të shëputet nga anët e tenxheres.
- Pasi masa të jetë trashur mjaftueshëm e heqim nga zjarri dhe shtojmë një e nga një vezët duke mos ndërprerë procesin e përzierjes.
- Brumin e përftuar e vendosim në një tepsi ose mbi tavolinën e kuzhinës.
- E spërkasim me pak miell dhe nisim ta punojmë me dorë derisa të krijohet një masë kompakte.
- Brumin e spërkasim me kokërriza sheqeri nga të gjitha anët.
- Tavën e spërkasim me pak gjalpë të shkrirë dhe vendosim brumin aty duke e shtrirë me dorë në të gjithë sipërfaqen e tavës.
- Më pas, i japim formë përmes një thike të mprehtë sipas dëshirës në romba apo katrorë dhe sipër i vendosim disa thelpinj bajamesh.
- Tava futet në furrë për pjekje për 40 minuta.
- Ndërkohë përgatisim sherbetin duke hedhur në një tenxhere, sheqerin, ujin dhe vaniljen. I lëmë të vlojnë derisa sherbeti të lidhet apo të trashet.
- Kur ëmbëlsira të piqet, e lëmë të ftohet dhe më pas i hedhim sipër sherbetin e nxehtë
Burimi: mesazhi
