Thethi dhe tërheqja e turistëve


E shtunë, 4 Korrik 2015

Thethi, me një sipërfaqe prej 2630 ha, është një nga fshatrat më të veçantë të Alpeve shqiptare. Në pjesën më veriore të Komunës së Shalës, rreth 70 km larg nga qyteti i Shkodrës, ai është i vendosur në një gropë që arrin në lartësinë nga 740 deri në 950 m mbi nivelin e detit dhe i banueshëm në mënyrë të përhershme. Përmes Qafës së Pejës, në lartësi kalon rruga që lidhë Shkodrën me Pejën dhe viset e tjera të Kosovës. Nga Qafa e Valbonës rruga të çon në Tropojë e nëpërmjet Shtegut të Dhenëve lidhet me Bogën, e më pas me Shkodrën. Nga ana tjetër, nga Rrethi i Vizhnës lidhet me Kelmendin dhe përmes Shkallës së Thethit lidhet me pjesën tjetër të Shalës. Një nga pikat më piktoreske në këtë mrekulli, është padyshim edhe “Vorri i Riecit“.

Nga kjo pikë vihesh përballë Okolit, Qafës së Pejës dhe në krahun e majtë ngrihet madhështore kalaja natyrore dhe Shtegu i Dhenëve. Kur mbërrin në Theth, ajo që të befason është prania e pyllit. Në pjesën më të madhe të tij mbizotëron pylli i ahut, por nuk mungon edhe pisha e zezë, panja, frashëri, villi, bungu, shkoza, dellia, thana, lajthia e arra. Po kështu në këtë zonë, në një numër të konsiderueshëm ndodhen edhe shumë lloje bimësh barishtore që ia shtojnë bukuritë këtij fshati mbresëlënës.

Në zonën e Thethit, një vend të rëndësishëm zënë edhe kullotat, bimësia e të cilave është e një cilësie të lartë. Ajo përbëhet dhe ka një shtrirje mjaft të gjërë nga bimë të familjes graminore, ku nuk mungojnë as ato bishtajore dhe të familjeve të tjera të këtij lloji. Në këtë zonë bimësia ka vlera të mëdha ekonomike, turistike, shëndetësore, shkencore e monumentale. Në këtë bimësi, që zotërojnë elementë të florës së Europës Qendrore. Aktualisht në Theth gjenden 70 burime uji, ku më i përmënduri është Kroni i Micanit. Për rreth 40 vjet rrjesht, mjediset e hotelit në Theth, janë shfrytëzuar nga shumë qytetarë nga i gjithë vëndi. Kapaciteti i sezonit veror ishte mesatarisht deri në 600 vetë dhe në dimër mbi 400. Lidhur me aktivitetin ekonomik, një vend të rëndësishëm zë blegtoria, kryesisht ato të imtat.

Etiketa: , ,

Leave a Reply

Të fundit