E shtunë, 1 Gusht 2026

Policia e Kosovës ka raportuar për tri raste të hetimit të vdekjes gjatë 24 orëve të fundit, të ndodhura në komunat e Ranillugut, Suharekës dhe Gjakovës.
Në fshatin Drenovc të Ranillugut, një qytetar ka njoftuar policinë se e kishte gjetur pa shenja jete babanë e bashkëshortes së tij, i cili jetonte i vetëm. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, raporton Klankosova.tv.
Ndërkaq, një burrë nga Suhareka ka vdekur në Spitalin Rajonal të Prizrenit, pasi paraprakisht kishte pësuar lëndime që dyshohet se i kishte marrë si pasojë e rrëzimit në gjendje të dehur.
Viktima fillimisht kishte marrë trajtim në QKMF të Suharekës, ndërsa vdekja e tij është konstatuar nga ekipi mjekësor në Spitalin e Prizrenit. Me vendim të prokurorit, trupi është dërguar në IML për obduksion.
Ndërsa rasti i tretë është raportuar në fshatin Fshaj të Gjakovës, ku në bregun e lumit, pranë Urës së Fshajt, është gjetur trupi i pajetë i një gruaje, identiteti i së cilës ende nuk është bërë i ditur.
Ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen në vendin e ngjarjes, ndërsa trupi është dërguar në IML për obduksion. Policia ka bërë të ditur se rasti po hetohet. /Klankosova.tv
Burimi: klankosova
