E enjte, 28 Maj 2026

Ato po ndërtohen nga Alpet në Baltik, për të afruar qytetet dhe ulur varësinë nga avionët
Evropa dëshiron të bindë më shumë njerëz të heqin dorë nga fluturimet e shkurtra dhe të zgjedhin trenat me shpejtësi të lartë. Ndërsa udhëtimet hekurudhore po fitojnë popullaritet, kontinenti po përballet me një pengesë të madhe: gjeografinë.
Malet dhe detet e ndajnë Europën në mënyrë natyrore dhe, ndryshe nga avionët, trenat nuk mund t’i shmangin ato. Për këtë arsye, disa nga projektet më ambicioze inxhinierike në botë po hapin tunele gjigante nën male dhe dete, me synim revolucionarizimin e transportit hekurudhor në dekadën e ardhshme.
Austria, Italia, Franca dhe Danimarka po investojnë miliarda euro në tunele rekord dhe linja të reja që do të shkurtojnë ndjeshëm kohët e udhëtimit dhe do të rrisin kapacitetin për transport mallrash.
Një nga projektet më të rëndësishme është Tuneli Bazë i Gotthardit në Zvicër, i hapur në vitin 2016. Me gjatësi rreth 57 kilometra dhe i ndërtuar deri në lartësinë mbi 2 mijë metra nën Alpe, ai konsiderohet tuneli hekurudhor më i gjatë në botë.
Projekti kushtoi mbi 11 miliardë dollarë dhe shkurtoi udhëtimin mes Zyrihut dhe Milanos nga katër orë në vetëm dy orë e gjysmë. Ky tunel është pjesë e projektit zviceran “NEAT”, që synon të krijojë korridore hekurudhore më të shpejta dhe më efikase midis Europës Veriore dhe Italisë.
Krahas tij funksionon edhe Tuneli Bazë i Lötschbergut, i hapur në vitin 2007. Suksesi zviceran ka frymëzuar edhe Austrinë. Projekti më ambicioz atje është Tuneli Bazë i Brennerit, që pritet të hapet në vitin 2032.
Ai do të lidhë Innsbruckun në Austri me Bolzanon në Itali përmes dy tuneleve paralelë nën Alpe. Kur të përfundojë, udhëtimi mes dy qyteteve do të reduktohet nga dy orë në vetëm 50 minuta.
Megjithatë, projekti ka hasur vështirësi të mëdha. Punimet nisën në vitin 1999 dhe fillimisht tuneli pritej të hapej në vitin 2015. Sot kostoja e tij ka arritur pothuajse 10 miliardë dollarë, gati dyfish më shumë nga sa ishte parashikuar.
Një tjetër projekt i rëndësishëm është Tuneli Semmering në Austri, i cili do të përmirësojë lidhjet mes Vjenës, Grazit dhe Italisë. Ky tunel do të zëvendësojë pjesërisht hekurudhën historike Semmeringbahn, e konsideruar si linja e parë hekurudhore që kaloi Alpet në shekullin XIX.
Edhe Franca dhe Italia po ndërtojnë një lidhje të re gjigante mes Lionit dhe Torinos. Në qendër të këtij projekti ndodhet Tuneli Bazë Mont Cenis, me gjatësi rreth 58 kilometra. Synimi është që një pjesë e madhe e transportit të mallrave të kalojë nga rrugët automobilistike te hekurudha, duke reduktuar ndotjen dhe trafikun e rënduar.
Por ky projekt është përballur me protesta të forta politike dhe mjedisore, sidomos në Itali. Kostot janë rritur vazhdimisht dhe përfundimi është shtyrë për në vitin 2033. Për më tepër, linjat lidhëse në Francë dhe Itali ende nuk janë ndërtuar plotësisht, gjë që rrezikon ta kufizojë efektin e tunelit.
Por revolucioni europian i tuneleve nuk po zhvillohet vetëm nën male. Danimarka dhe Gjermania po ndërtojnë tunelin Fehmarnbelt nën Detin Baltik, që do të lidhë dy vendet me rrugë dhe hekurudhë.
Projekti, me vlerë rreth 9 miliardë dollarë, pritet të hapet në fillim të viteve 2030 dhe do të shkurtojë ndjeshëm udhëtimet mes Kopenhagenit dhe Hamburgut. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se infrastruktura nuk mjafton.
Udhëtimet ndërkombëtare me tren në Europë, mbeten shpesh më të shtrenjta se fluturimet loë-cost. Për këtë arsye, Bashkimi Europian duhet të krijojë më shumë konkurrencë dhe bileta më të përballueshme.
Objektivi afatgjatë i BE-së është krijimi i një rrjeti hekurudhor me shpejtësi të lartë prej 56 mijë kilometrash deri në vitin 2050, duke lidhur të gjitha kryeqytetet dhe qytetet kryesore europiane.
Por realizimi i këtij vizioni kërkon investime gjigante, bashkëpunim politik dhe kapërcimin e pengesave natyrore që e kanë ndarë Europën për shekuj me radhë. tesheshi
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
