E shtunë, 23 Maj 2026

Sytë e botës së boksit sonte do të jenë të drejtuar nga Egjipti, aty ku kampioni ukrainas Oleksandr Usyk do të ngjitet në ring përballë legjendës së kickboksit Rico Verhoeven në një duel spektakolar që zhvillohet pranë Piramidave të Gizës.
Dueli për titullin e peshave të rënda në versionin WBC ka tërhequr vëmendje të jashtëzakonshme në botën e sporteve luftarake, përcjell Gazeta Expres.
Usyk vjen në këtë përballje si favorit absolut. Ukrainasi është ende i pamposhtur në boksin profesionist dhe konsiderohet një nga boksierët më të mirë të gjeneratës së tij. Në anën tjetër, Verhoeven hyn në ring me reputacion të madh nga kickboksi, por me shumë pak eksperiencë në boks profesionist, çka e bën këtë duel një sfidë të madhe për holandezin.
Para meçit, Usyk tregoi seriozitet maksimal në përgatitje, duke u izoluar nga telefoni dhe familja për t’u fokusuar vetëm te dueli. Kampi i tij ka bërë të ditur se ukrainasi ka qenë më i përqendruar se kurrë gjatë javëve të fundit.
Në matjet zyrtare, Usyk peshoi 233.3 pounds, pesha më e lartë në karrierën e tij, ndërsa Verhoeven rezultoi dukshëm më i rëndë me 258.7 pounds. Diferenca fizike pritet të jetë një nga elementet më interesante të këtij superdueli.
Sipas mediave ndërkombëtare, hyrja e boksierëve në ring pritet të ndodhë rreth mesnatës sipas kohës në Kosovë.
Përveç përballjes kryesore, mbrëmja do të sjellë edhe duele tjera interesante, përfshirë meçin mes Hamzah Sheeraz dhe Alem Begic, si dhe përballjen Jack Catterall – Shakhram Giyasov.
Burimi: 04online
