Reuters: A po e humb luftën Trump?


E shtunë, 23 Maj 2026
Reuters: A po e humb luftën Trump?

Analistët paralajmërojnë se SHBA-ja rrezikon të dalë më e dobësuar nga përballja me Iranin

Tre muaj pasi SHBA-ja sulmoi Iranin, presidenti Donald Trump mund të ketë fituar shumicën e betejave ushtarake, por pyetja që po shtrohet gjithnjë e më shumë në Uashington është tjetër: a po e humb luftën?

Ndërsa vazhdon kontrolli i Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit, programi bërthamor mbetet aktiv dhe regjimi në Teheran nuk është lëkundur, analistët po vënë në dyshim aftësinë e Trumpit për t’i kthyer sukseset ushtarake në një fitore të qartë politike dhe gjeopolitike.

Pretendimet e tij për “fitore totale” po tingëllojnë gjithnjë e më pak bindëse, ndërsa konflikti ka hyrë në një fazë të paqartë mes negociatave të brishta dhe kërcënimeve të vazhdueshme për sulme të reja amerikane.

Sipas ekspertëve, ekziston rreziku që SHBA-ja dhe aleatët e saj në Gjirin Persik të dalin më të dobësuar, ndërsa Irani – megjithëse i goditur rëndë ekonomikisht dhe ushtarakisht – mund të fitojë më shumë ndikim strategjik, pasi tregoi se mund të kërcënojë një pjesë të madhe të furnizimit botëror me naftë dhe gaz.

“Kanë kaluar tre muaj dhe po duket gjithnjë e më shumë si një luftë që ishte menduar të ishte e shkurtër, por që po kthehet në një dështim strategjik afatgjatë” – tha Aaron David Miller, ish-negociator amerikan për Lindjen e Mesme.

Për Trumpin, perceptimi si “humbës” ka peshë të madhe politike. Ai e ka përdorur shpesh këtë etiketë ndaj kundërshtarëve, ndërsa tani përballet me një situatë ku ushtria më e fuqishme në botë nuk ka arritur ende të imponojë objektivat e saj ndaj Iranit.

Analistët besojnë se kjo mund ta bëjë Trumpin më pak të gatshëm për kompromis, sidomos për një marrëveshje që do të dukej si rikthim te pakti bërthamor i vitit 2015, të cilin ai e anuloi gjatë mandatit të parë.

Shtëpia e Bardhë këmbëngul se operacioni ushtarak ka qenë sukses. Zëdhënësja Olivia Wales deklaroi se SHBA-ja “i ka përmbushur ose tejkaluar të gjitha objektivat ushtarake”. Por lufta po krijon kosto politike për Trumpin.

Ai kishte premtuar gjatë fushatës se nuk do ta përfshinte Amerikën në ndërhyrje të panevojshme ushtarake, por tani përballet me rritje të çmimeve të karburanteve, rënie të popullaritetit dhe presion para zgjedhjeve afatmesme të nëntorit.

Më shumë se gjashtë javë pas armëpushimit, disa analistë mendojnë se Trump ka vetëm dy rrugë: të pranojë një marrëveshje të papërsosur ose të përshkallëzojë sërish konfliktin ushtarak, duke rrezikuar një krizë edhe më të gjatë.

Një nga skenarët që përmendet është nisja e sulmeve të kufizuara, të cilat Trump mund t’i paraqesë si “fitore përfundimtare” përpara se të tërhiqet politikisht nga konflikti. Megjithatë, presidenti amerikan vazhdon të ketë mbështetës të fortë.

Alexander Gray, ish-këshilltar i administratës Trump, argumenton se goditja ndaj kapaciteteve ushtarake iraniane përbën një “sukses strategjik” dhe se lufta i ka afruar më shumë shtetet arabe të Gjirit me SHBA-në.

Por shenjat e frustrimit të Trumpit janë bërë gjithnjë e më të dukshme. Ai ka sulmuar mediat dhe kritikët, ndërsa konflikti ka zgjatur dyfishin e afatit prej gjashtë javësh që vetë kishte parashikuar.

Në fazën fillestare, sulmet amerikane dhe izraelite dëmtuan rëndë arsenalin raketor iranian dhe eliminuan figura të rëndësishme ushtarake. Por Teherani reagoi duke bllokuar Ngushticën e Hormuzit dhe duke goditur Izraelin dhe fqinjët arabë në Gjirin Persik.

Edhe bllokada amerikane ndaj porteve iraniane nuk arriti ta detyrojë Teheranin të tërhiqet. Objektivat kryesore të shpallura nga Trump – ndalimi i programit bërthamor iranian, frenimi i ndikimit rajonal të Iranit dhe dobësimi i regjimit – mbeten të paarritura.

Ndërkohë, nuk është realizuar as objektivi për të ndalur mbështetjen iraniane ndaj grupeve të armatosura në rajon. Përtej Lindjes së Mesme, lufta ka krijuar tensione edhe me aleatët europianë të SHBA-së, të cilët kanë refuzuar kryesisht të përfshihen në konflikt.

Sipas analistëve, Kina dhe Rusia po nxjerrin mësime nga dobësitë që SHBA-ja ka treguar përballë taktikave asimetrike iraniane dhe nga konsumimi i arsenalit amerikan.

Robert Kagan, studiues në institutin Brookings, argumenton se kjo luftë mund të rezultojë një goditje serioze për prestigjin global të SHBA-së. “Nuk do të ketë kthim në status quo dhe as një triumf final amerikan që do ta zhbëjë dëmin e shkaktuar” – shkroi ai në një koment për revistën The Atlantic. tesheshi


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit