Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Virtyti shqiptar

Prizren Post | 16:02 - 27.09.2014

H. Sulejman ef. REXHEPI

Ne shqiptarët, sidomos ne në Maqedoni, me neveri i kemi refuzuar dhe i kemi demaskuar të gjitha sulmet antishqiptare që janë bërë në emër të fesë islame. Strategjia jonë e përjetshme është ta mbrojmë islamin burimor autokton dhe të refuzojmë çdo “islam” të importuar

Në historinë kombëtare nuk ekziston kurrfarë ngjarje që mund të na ngarkojë me hipoteka masakrimi. Në këtë aspekt, si komb, jemi kristal të pastër. Po nënvizoj si komb! Terrori dhe masakra janë produkt i pretendimeve territoriale, janë produkt i politikave okupuese, nënshtruese, grabitëse, janë njëmendësi e shpirtit dhe trurit të sëmurë. Kombi shqiptar kurrë nuk është futur në këto sfera antinjerëzore. Gjenetikisht, populli shqiptar shquhet si qenie humane. Po të ishte ndryshe, nuk do të mund të ishte protagonist i humanizmit më të lartë të historisë më të re – të shpëtimit të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Po të ishte ndryshe, nuk do ta gëzonte epitetin e popullit human që e vulosi Nëna Terezë me misionin e saj njerëzor. Vetëm popujt human mund të shpërblehen prej Zotit Fuqiplotë me mrekullinë e të qenit tolerant fetar.

Këtë virtyt kombëtar, këto ditë e përjetoi edhe vetë Papa Françesku, i cili ngeli i mrekulluar nga ajo harmoni dhe bashkëjetesë ndërfetare që e hasi në Shqipëri. Këtë model ua preferoi mbarë njerëzimit në botë. Padyshim, është mirë, është për shëndetin e kombit, të theksohet edhe burimi i kësaj bashkëjetese! Është e vërtetë nga e cila nuk mund të ikim, as nuk mund ta fshehim, sepse, do të dilnim shumë qesharak! Kombi shqiptar, në shumicë absolute i përket fesë islame. Duke e predikuar islamin burimor dhe autokton, i cili është shtyllë e kodit të vëllazërisë, harmonisë dhe dashurisë, jo që ka ushtruar tolerancë ndaj përkatësve të feve të tjera, por edhe ka ngritur Kullën e Bashkëjetesës, e ngritur në shtylla të harmonisë ndërfetare. Kjo është më se e vërtetë, ndaj dhe sot, të gjithë individët e prishur, të gjithë grupet destruktive, të gjithë ideologjitë e mbrapshta, qofshin këto edhe nga radhët e shqiptarëve, urrehen kombëtarisht. Shqiptarët muslimanë, nuk mund t’i urrejnë fetë të cilat i kanë dhe i predikojnë edhe vëllezërit e vet. Si rrjedhojë e kësaj, asnjëherë nuk i kanë urryer as edhe përkatësit e tjerë kombëtar që janë pjesëtarë të feve që i kanë edhe shqiptarët.

Kombi shqiptar edhe në proceset çlirimtare ka qenë i paqtë

Shqiptari, në aspektin fetar, fare mirë e di që në këtë botë është mysafir! Ndaj dhe, jo rastësisht në filozofinë e vet kombëtare e ka maksimën “Shtëpia është e Zotit dhe e mysafirit”! Pra, kjo botë, në të cilën ne jemi mysafirë, i përket Zotit dhe në asnjë mënyrë nuk guxojmë ta njollosim vullnetin e Tij. Terrorizmi dhe masakrat janë aktet më të shëmtuara, veprime nga më të sanksionuarit nga ana e Allahu xh.sh.

Dënimi me vdekje, si akt ndëshkues, është i pranishëm në shumë shtete, në shumë sisteme. Si akt ndëshkues haset edhe nëpër fe dhe religjione, pra, edhe në fenë islame. Natyrisht, çdo vrasje, si ndëshkim në emrin e ndonjëfare drejtësie, e cila nuk kalon nëpër të gjitha instancat gjyqësore, e cila nuk argumentohet me prova e dëshmi të qarta e të pamohueshme, nuk është gjë tjetër përveçse vrasje klasike, akt kriminal. Allahu i Gjithëpushtetshëm në Kuranin Famëlartë thotë: “Kushdo që vret një besimtar me qëllim, ndëshkimi i tij është Xhehenemi, në të cilin do të qëndrojë përgjithmonë. Allahu është zemëruar me atë, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur një dënim të madh (93, En Nisa) Aktet makabre, të përditshme, që po ndodhin nëpër viset arabe janë, thjesht, vrasje me qëllim, të cytura nga interesat meskine, nga motivet djallëzore, nga planet që i kap vetëm defteri i Satanës. Allahu është i zemëruar dhe i ka mallkuar të gjithë ata që përfshihen në të tilla plane vrasjesh e masakrimesh të qëllimta. Kush dyshon në këtë ajet kuranor nuk është i fesë islame, siç nuk është i kësaj feje as ai i cili mund të dyshojë edhe në këtë ajet kuranor: “…kush vret ndokënd, që s’ka vrarë njeri ose që nuk ka bërë çrregullime në Tokë, është sikur të ketë vrarë të gjithë njerëzit. Dhe, nëse dikush shpëton një jetë, është sikur të ketë shpëtuar jetën e krejt njerëzve…” (32, El Maide) Të vrasësh sot në emër të islamit një gazetar që gazetarinë e ka profesion, të vrasësh sot në emër të islamit një humanist i cili humanizmin e koncepton si porosi të shenjtë, është, thjesht, sikur të vrasësh mbarë njerëzimin. Kush mund të bashkëpunojë me një kriminel të tillë? Kush mund t’i nënshtrohet “sistemit shtetëror” të një krimineli të tillë! Këtë mund ta bëjë vetëm i manipuluari, i prishuri, krimineli. Njeriu i fesë islame vetëm se do t’i lutej Krijuesit të Gjithësisë për paqe, për harmoni, për dashuri, për mirësi, mbarësi e shëndet për mbarë njerëzimin, do t’i lutej Krijuesit të Gjithëmëshirshëm për mëshirë dhe për shpërblim me Xhenet për të gjithë ata që kanë vdekur në Rrugën e Tij.

Zero tolerancë dhe zero dhembje për të gjithë ata që nxisin pjesëmarrje në vrasje dhe për të gjithë ata që marrin pjesë në ekzekutime shtazarake. Në cilën periudhë islame, në cilën orë të Hilafetit paskan ndodhur të tilla akte që mund t’i motivojnë për përsëritje kriminelët e sotëm që pretendojnë se po ngrisin “shtet islam nën mbretërinë e hilafetit”! Shqiptarët, si komb, unanimisht, nuk i besojnë kësaj dhe me plotë të drejtë duhet të shprehin maksimumin e neverisë. Kombi shqiptar edhe në proceset çlirimtare ka qenë i paqtë. Kjo u dëshmua edhe së fundmi, përkundër shumë përpjekjeve djallëzore për t’i njollosur dhe gjykuar luftërat e fundit që u bënë për liri dhe paqe. U dëshmua botërisht!

Lojë e një ekipi lojtarësh

Propaganda antishqiptare ka një qendër dhe një filial të vetën: Beogradin me degën e vet në Shkup! Fatmirësisht, bota e kuptoi që çdo akuzë serbo-maqedonase, çdo shpifje e tyre kundër shqiptarëve ishte vetëm një pretekst për të shfryrë urrejtjen monstruoze kundër shqiptarëve. Kjo qendër dhe kjo degë asnjëherë nuk u ngopën me projekte dhe iniciativa antishqiptare të cilat, një kohë të gjatë ishin në planin etnik. Kur ato sulme kaluan në planin fetar, fatkeqësisht, nga radhët e pjesëtarëve të islamit të këtushëm gjetën një shukë bashkëpunëtorësh, pastaj edhe të atillë që nuk e kanë dert arratisjen nga identiteti kombëtar, sa për ta njollosur edhe islamin, edhe shqiptarët dhe për t’i justifikuar masat “kundër xhihadistëve”.

Ne shqiptarët, sidomos ne në Maqedoni, me neveri i kemi refuzuar dhe i kemi demaskuar të gjitha sulmet antishqiptare që janë bërë në emër të fesë islame. Strategjia jonë e përjetshme është ta mbrojmë islamin burimor autokton dhe të refuzojmë çdo “islam” të importuar dhe t’i dëbojmë nga radhët tona të gjithë ata që çojnë ujë në jazin e mullirit serbo-maqedonas ku pareshtur bluhen ide e plane për ta dëmtuar sa më shumë identitetin kombëtar e fetar të shqiptarëve mysliman.

Përmbajtja jonë përballë provokimeve të pareshtura na ka ndihmuar që t’i zhveshim sulmuesit dhe t’i dëshmojmë botës së civilizuar se këtu nuk kemi të bëjmë me rrezik nga islami porse në ekspansion është fundamentalizmi ortodoks i cili, dorën në zemër, nuk përdoret për ta sulmuar fenë islame, sepse është i pafuqishëm, por përdoret për ta ruajtur dhe ushqyer urrejtjen shovene antishqiptare. E gjithë filozofia e tyre e mbrapshtë është që t’i nxisin shqiptarët myslimanë t’iu kundërpërgjigjen provokimeve të fundamentalizmit ortodoks. Një veprim i tillë eventual do t’i njësonte shqiptarët me lëvizjet “alkaediste”, “xhihadiste”, “ISIS-iste” etj. kundër të cilave është e gjithë bota, pra, edhe bota shqiptare.

Uzurpimi i objekteve të kulturës islame (sahat kullat) dhe përdhosja e tyre me kryqe ortodokse, uzurpimi i xhamive dhe përdhosja e tyre duke i shndërruar në kisha (xhamia në Shtip), djegia e xhamisë dhe moslejimi shtetëror për ta meremetuar (xhamia në Prilep), mbyllja e xhamisë dhe “hulumtimet arkeologjike” me pretekst të gjetjes së themeleve të kishave nën muret e xhamive (xhamia në Manastir), ndërtimi i kishave në qendër dhe moslejimi i ndërtimit të Burmali Xhamisë që dikur gjendjej në qendër të Shkupit, ngritja e kryqeve gjigantë për të dëshmuar se Maqedonia na qenka tokë ortodokse dhe një sërë naivitetesh të këtilla të inspiruara e të përkrahura nga qarqet e caktuara të pushtetit maqedonas, veç sa dëshmojnë për një fundamentalizëm të pastër ortodoks. Të gjitha objektet, qoftë fetare, qoftë sakrale të provincës ortodokse, ne i respektojnë dhe i trajtojmë njëjtë ashtu siç i trajtojmë ato të vëllezërve tanë, shqiptarëve ortodoksë. Këtu është arsyeja se pse dështojnë të gjitha përpjekjet e politikave të ulëta serbo-maqedonase për ta ngjallur te ne ndonjë “lubi antiortodokse”, sepse, filozofia e jetës sonë është të kultivojmë humanizëm, dashuri, t’i dedikohemi paqes dhe harmonisë ndërfetare. Ky është uniteti ynë kombëtar që na nderon anekënd botës dhe këtë virtyt e kemi amanet për ta ruajtur si sytë e ballit.

Këtë virtyt u mundua që ta minimizojë dhe ta njollosë këto ditë edhe qytetari i rëndomtë i Maqedonisë, George Ivanov, që ia ka ënda të quhet si kryetar i këtij shteti, në sesionin vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. U mundua që burimin e resurseve financiare e njerëzore të ISIS t’i gjejë në Ballkan e në veçanti në viset etnike të shqiptarëve. Kam përshtypjen se veç sa doli qesharak, sepse, para tij, Presidenti i SHBA-ve, Barak Obama, tashmë e kishte kanalizuar burimin e së keqes për mbarë njerëzimin. Duke iu drejtuar 140 kryetarëve të shteteve dhe qeverive pjesëmarrëse në këtë ansamble sqaroi pozicionin e Amerikës karshi luftës me ISIS, temë që dominoi fjalën e tij në hapjen e këtij sesioni të Asamblesë. Presidenti Obama nënvizoi qartë dhe shkurt: “SHBA-të nuk do të jenë kurrë në luftë me islamin, fe që mëson paqen. “ISIS duhet të shkatërrohet. Bota duhet t’i bashkojë forcat për të luftuar terrorizmin dhe këto grupime te rrezikshme. Mohoni me forcë ideologjinë e ISIS, pasi asnjë Zot nuk fal terrorin dhe masakrat e tyre”, u shpreh Presidenti Obama. Pra, ai askund nuk tha “terrorizmin islamik”, apo “islamin radikal”, sepse bota e civilizuar e di fare mirë që është mëkat i pafalshëm nëse terrorit apo masakrës ia bashkangjet prapashtesën që ka kuptim fetar. Asnjë fe nuk mëson terror e masakër. Por, terror e masakër është edhe lëndimi i ndjenjave fetare të pjesëtarëve të cilësdo fe. Ky lëndim bëhet edhe përmes margjinalizimit të një komuniteti dhe favorizimit të komunitetit tjetër fetar. Edhe kjo politikë e gabueshme duhet të vihet në shënjestër dhe të lakuriqësohet si e padobishme. Loja me vlerat shpirtërore është ruleti më ekstrem dhe më i rrezikshëm për një shoqëri. Në Maqedoni po luhet kjo lojë, fatmirësisht vetëm nga një ekip lojtarësh. Kësaj “lige” nuk po i bashkëngjitet askush. Lavdi Zotit!

* Autori është Kryetar i BFI-së në Republikën e Maqedonisë.
Marrë nga: zhurnal.mk
*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.


Arivisti Company