11 muaj burgim edukatores për dhunë ndaj fëmijëve në një kopsht në Ferizaj


E premte, 15 Maj 2026
11 muaj burgim edukatores për dhunë ndaj fëmijëve në një kopsht në Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurës M.A., për shkak të veprave penale “keqtrajtim apo braktisja e fëmijës” dhe “lëndimi i lehtë trupor”.

Sipas njoftimit, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e të gjitha provave personale dhe materiale, të pandehurën M.A. gjykata e shpalli fajtore dhe të njëjtën e gjykoi për veprën penale “keqtrajtim apo braktisja e fëmijës” me dënim burgimi në kohëzgjatje prej njëmbëdhjetë (11) vite i cili dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Ndërsa për veprën penale “lëndimi i lehtë trupor”, e pandehura është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh, dënim i cili, me pëlqimin e të pandehurës, i është zëvendësuar me dënim me gjobë në shumë prej 6 mijë euro.

“Në bazë të nenit 76 paragrafi 2 të KPRK-së, të pandehurën e gjykoi me dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej njëmbëdhjetë (11) muaj, në të cilin dënim do t`i llogaritet koha e kaluar në arrest shtëpiak, si dhe dënim me gjobë në shumë prej gjashtëmijë (6.000.00) €. Gjithashtu, konform nenit 63 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së të pandehurës i shqipton dënim plotësuese ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë apo detyrës së edukatores në kohëzgjatje prej pesë (5) vite”, u tha në njoftimin e gjykatës, raporton Klan Kosova.

Sipas gjykatës, e pandehura M.A. akuzohet se më datë 4 nëntor 2025 dhe 5 nëntor 2025, “në vazhdimësi, në intervalin kohor nga ora 09:00 deri më 14:30 në një kopsht të fëmijëve ‘M.’ në Ferizaj, e pandehura ka keqpërdor të drejtat e saj të cilat i kishte si edukatore, e të cilës i ishin besuar në ruajtje, edukim dhe kujdes dy fëmijët e moshës 2 vjeçare, pra me dashje i ka keqtrajtuar ata duke përdorur masa fizike dhe mendore, duke i detyruar me dhunë për të fjetur, duke i shtyrë, tërhequr për flokë dhe përplasur për dysheme të dëmtuarit – fëmijët, me të cilin veprim ka kryer në vazhdim veprën penale keqtrajtim apo braktisja e fëmijës nga neni 243 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

“Më datë 5 nëntor 2025, në intervalin kohor nga ora 09:00 deri më 14:30 në Ferizaj, në një kopsht të fëmijëve ‘M.’ në Ferizaj, e pandehura e sulmon me dashje njërin të dëmtuar fëmijë dy vjeçar, pra viktimë e ndjeshme, i cili asaj iu kishte besuar në ruajtje, edukim dhe kujdes në atë mënyrë që e kap për flokë e tërheqë duke ia dëmtuar – shkulur flokët si dhe duke ia dëmtuar lëkurën në atë pjesë të kokës, pra duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore – gjendje pas kontuzionit (ndrydhjes) në kokë, lëndime këto të përshkruara në akt ekspertimin mjeko – ligjor të datës 25 nëntor 2025, me të cilin veprim ka kryer veprën penale lëndimi i lehtë trupor nga neni 185 paragrafi 1 nën paragrafi 3.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka thënë Gjykata.


Burimi: klankosova

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit