E premte, 15 Maj 2026

Komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, ka deklaruar se Kosova është pjesë e një tabloje më të gjerë evropiane dhe se nuk mund të ketë siguri në Evropë pa përfshirjen e saj.
Në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ajo tha se është diskutuar për procesin e zgjerimit të BE-së dhe zhvillimet aktuale në këtë drejtim.
“Jeni sot në një moment kritik. E para, jeni para zgjedhjeve. E dyta është se, kur kemi folur sot për procesin e zgjerimit nga një perspektivë më të gjerë, ajo që po përjetojmë sot në procesin e zgjerimit është përparimi dhe, për herë të parë pas zgjerimit të fundit në vitin 2013 me Kroacinë, ekzistojnë perspektiva reale që në vitet e ardhshme do të kemi shtete të reja anëtare. Ky proces i anëtarësimit është shtyrë përpara edhe për shkak të aspektit të sigurisë. Dhe kur kemi diskutuar për rolin e Kosovës në këtë, nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën. Kosova është pjesë integrale e një tabloje më të madhe, arsye pse zgjerimi sot është shumë më tepër sesa thjesht zgjerim. Ka të bëjë me sigurinë në Evropë, bashkëpunimin rajonal dhe integrimin në Bashkimin Evropian”, tha ajo.
Kos shtoi se një nga detyrat e saj kryesore është të mbështesë një integrim më të fuqishëm të Kosovës në Bashkimin Evropian.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
