E martë, 23 Shtator 2014
Prishtinë – Shkruan: Artan Muhaxhiri, gazetar i sportit në RTK.
“Ku ishte më 20 shtator, Myrteza Miftari?
Lajmi për pranimin e Federatës së Hendbollit të Kosovës në shtëpinë evropiane të hendbollit, e gëzoi secilin prej nesh!
Prej 18 dhjetorit 2004, kur në Budapest, Kosova ishte pranuar më të drejta të kufizuara në EHF, hendbolli dhe njerëzit rreth tij në Kosovë për asnjë moment nuk pushuan së punuari për të çuar deri në fund këtë mision.
Në vitin 2003, kryetari i tashëm i nderit ne FHK, z. Mexhit Devaja kishte qenë iniciator për të formuar Federatën Shqiptare të Hendbollit, edhe pse atje nuk kishte asnjë klub dhe nuk zhvillohej ky aktivitet.
Mirëpo me vizionin e tij z.Devaja po përgatiste një votë të sigurt në kongresin e 18 dhjetorit 2004, ku Kosovën mund ta shpëtonte vota e Shqiperise.
Me 20 shtator 2014, ne kongresin e EHF-së në Dublin të Irlandës, çështja e Kosovës tashmë ishte futur në rend dite për pranimin e saj me të drejta të plota.
Derisa pala kosovare lobonte nëpër të gjitha 49 anëtaret e EHF-së, njëra prej tyre që konsiderohej votë e sigurt, MUNGOI!!!
Kryetari i FSHH-së Myrteza Miftari, as që kishte udhëtuar në Dublin dhe quajeni si të doni, neglizhencë, mosinteresim apo edhe papjekuri, kjo mbetet një pyetje enigmë, për një çështje që fatmirësisht nuk la gjurmë në procesin e pranimit të Kosovës, meqë FHK fitoi me 25 vota pro dhe 18 kundër!”, thuhet në reagimin e gazetarit të mirënjohur kosovar.