Vazhdimisht xurxull: ç’po ndodh me shefin e FBI-së?


E premte, 15 Maj 2026
Vazhdimisht xurxull: ç’po ndodh me shefin e FBI-së?

Kash Patel akuzohet për braktisje të detyrës dhe presione ndaj agjentëve

Drejtori i FBI-së, Kash Patel, po kalon një periudhë mjaft të trazuar. Sipas platformës së parashikimit të ngjarjeve Polymarket, probabiliteti që Donald Trump ta shkarkojë atë para fundit të vitit ka arritur në 64 për qind.

Imazhi i tij u rrënua pas publikimit të një raporti nga revista The Atlantic, e cila e akuzon atë për konsum të tepërt të alkoolit dhe pretendon se kolegët e kishin të vështirë ta zgjonin pas netëve ku kishte pirë shumë.

Patel i ka mohuar kategorikisht akuzat dhe ka paditur botimin për shpifje, duke kërkuar 250 milionë dollarë dëmshpërblim. Paraqitja e tij këtë javë në Senat, e planifikuar për të diskutuar buxhetin e FBI-së, u kthye në një arenë debatesh të nxehta.

“Unë nuk do të lejoj të më njollosin nga akuza të pabaza!“- deklaroi ai para ligjvënësve, duke i quajtur raportet plotësisht të rreme. Përveç pirjes, The Atlantic raportoi se Patel ka grumbulluar shishe uiski (bourbon) me emrin e tij të gdhendur në etiketë, të cilat i merr me vete nëpër udhëtime për t’ua dhënë të tjerëve si dhurata zyrtare.

Kjo histori u kthye edhe në objekt parodie në emisionin e famshëm Saturday Night Live (SNL). Gjatë seancës dëgjimore, senatorët demokratë shprehën shqetësim të madh se si ky ves po ndikon në menaxhimin e agjencisë më të madhe të inteligjencës në Uashington, e cila numëron një staf prej 37.000 anëtarësh.

Senatori Chris Van Hollen u tregua i ashpër duke thënë: ”Raportet se keni qenë aq shumë i dehur saqë stafi u detyrua të hynte me forcë në shtëpinë tuaj janë alarmante. Nëse janë të vërteta, ato dëshmojnë një braktisje të rëndë të detyrës“.

Patel u kundërpërgjigj me agresivitet, duke sulmuar një vizitë të senatorit në El Salvador dhe duke e akuzuar atë për shpenzim të parave të taksapaguesve. Përtej skandaleve me alkoolin, Patel akuzohet për spastrimin e strukturave të FBI-së, duke shkarkuar agjentët me përvojë që hetuan bashkëpunëtorët e Trump-it apo që kishin ekspertizë mbi Iranin.

Gjithashtu, ai dyshohet se ka detyruar disa agjentë t’i nënshtrohen testit të poligrafit (makinës së të vërtetës) për të gjetur personat që nxjerrin informacione në shtyp.

Ndërkohë senatorja Patty Murray e pyeti nëse po përdorte burimet e FBI-së për të luftuar mediat. Patel, dukshëm nervoz, mohoi që po hetoheshin gazetarët apo që poligrafët po përdoreshin në mënyrë abuzive.

“Ne kemi nevojë që në krye të FBI-së të jetë dikush që fokusohet në zgjidhjen e krimeve, dhe jo në shpërndarjen e uiskit me markë e tij personale“- deklaroi Murray.

Ndërkohë, senatori Chris Coons përmendi një video ku Patel shihej duke pirë birrë në dhomat e zhveshjes së ekipit të hokejit në Lojërat Olimpike Dimërore në Milano, incident që thuhet se i solli edhe një vërejtje nga vetë Donald Trump.

Patel u mbrojt duke thënë se prania e tij atje lidhej vetëm me garantimin e sigurisë së qytetarëve amerikanë. tesheshi


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit