Një ekspertizë e aleancës Emirate-Izrael nën regjinë e SHBA-së: si po reagojnë vendet e tjera të Gjirit?


E premte, 15 Maj 2026
Një ekspertizë e aleancës Emirate-Izrael nën regjinë e SHBA-së: si po reagojnë vendet e tjera të Gjirit?

Rivaliteti mes Abu Dhabit dhe Riadit po rishkruan hartën e sigurisë në Lindjen e Mesme

Lufta e fundit në rajon, ka shpërfaqur ndasi të thella brenda Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC).

Në një intervistë për Huffington Post Italia, Andrea Thomas Dessì, profesor i Historisë së Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Amerikan të Romës (AUR) dhe këshilltar shkencor në Institutin e Çështjeve Ndërkombëtare (IAI), thotë se ndërsa Emiratet janë rreshtuar hapur me Izraelin, vendet e tjera arabe po shohin me frikë krijimin e një boshti të ri dominues, gjë që po i shtyn ata drejt aleancave alternative për të ruajtur ekuilibrin rajonal.

Vizita e Netanyahut në Emirate gjatë luftës shkaktoi shumë debat. Si duhet lexuar kjo marrëdhënie?

Ky episod vërteton se Emiratet janë sot aktori më i prirur për të mbështetur operacionet e njëanshme izraelito-amerikane për përmbysjen e pushtetit në Iran. Abu Dhabi jo vetëm që ka marrë mbështetje ushtarake nga Izraeli (sistemin Iron Dome dhe asistencë nga Mossad-i), por ka përfshirë edhe aviacionin e vet në sulmet ndaj Iranit.

Ky afrim ka krijuar një “hije” dominimi Izrael-Emirate në rajon, gjë që i ka alarmuar vendet e tjera arabe. Si kundërreagim, po shohim lëvizje të reja. Arabia Saudite po forcon lidhjet e sigurisë me Pakistanin dhe po diskuton përfshirjen e Turqisë dhe Egjiptit në një aleancë të re mbrojtëse për të balancuar boshtin e ri.

A ka krisje të pakthyeshme brenda vendeve të Gjirit pas këtij konflikti?

Absolutisht që po. Lufta ishte një tronditje e madhe, veçanërisht pasi shumë vende të GCC-së nuk u informuan për fillimin e saj. Sot, ndasitë janë më të gjerat në histori. Emiratet po veprojnë si shtylla e re e politikës amerikane, ndërsa Arabia Saudite dhe Katari janë treguar shumë më të matur.

Riadit i intereson stabiliteti dhe nuk dëshiron që Abu Dhabi, përmes qasjes prioritare në Uashington, të bëhet lideri i ri gjeopolitik i Gjirit. Konflikti nuk është më thjesht me Iranin, por një luftë për kontrollin e lidershipit rajonal.

A lidhet me këtë situatë dalja e Emirateve nga OPEC dhe OPEC+?

Po, ky është një tjetër sinjal i ftohjes mes Arabisë Saudite dhe Emirateve. Vendimi i Abu Dhabit ka gjasa të ketë mbështetjen e SHBA-së, veçanërisht pasi ekonomia emiratase u godit rëndë nga lufta dhe u desh ndërhyrja financiare amerikane.

Ky veprim tregon se raportet dypalëshe Riad-Abu Dhabi janë në pikën më të ulët, të ndikuara edhe nga mospajtimet në Jemen, Somali dhe Sudan.

Si po reagojnë vendet e tjera si Katari, Kuvajti dhe Omani?

Katari dhe Kuvajti kanë ulur prodhimin e naftës, jo domosdoshmërisht për të ndihmuar Iranin, por për të sinjalizuar pakënaqësi ndaj SHBA-së dhe për të rritur presionin mbi ekonominë globale drejt një armëpushimi.

Nga ana tjetër, Omani vazhdon rolin e tij tradicional si ndërmjetës. Megjithatë, ai nuk mund të krijojë i vetëm një arkitekturë të re sigurie. Por po përpiqet, së bashku me Kuvajtin dhe sauditët, që të frenojnë impulset luftarake të Emirateve.

Cili është roli i OKB-së në këtë përplasje diplomatike?

Propozimet në Këshillin e Sigurimit për të dënuar Iranin (për mbylljen e Hormuzit) janë një mjet që vendet e Gjirit të shprehin pakënaqësinë pa hyrë në luftë të drejtpërdrejtë.

Është një mënyrë për të legalizuar pozicionin e tyre dhe për të qetësuar opinionin publik të brendshëm. Sfida e vërtetë pas luftës do të jetë gjetja e një rregullatori të ri për tranzitin në Ngushticën strategjike të Hormuzit, ku tensionet mbeten shumë të larta. /tesheshi


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit