Trump: Nuk lehtësojmë sanksionet ndaj Iranit pa marrëveshje përfundimtare


E enjte, 21 Maj 2026
Trump: Nuk lehtësojmë sanksionet ndaj Iranit pa marrëveshje përfundimtare

Presidenti amerikan Donald Trump tha të mërkurën se nuk do të miratojë asnjë lehtësim të sanksioneve ndaj Iranit derisa të finalizohet një marrëveshje për t’i dhënë fund përgjithmonë luftës me Teheranin, raporton Anadolu.

“Nuk do të bëj asnjë lehtësim derisa të nënshkruajnë një marrëveshje. Kur të nënshkruajnë një marrëveshje, ne mund ta rindërtojmë atë vend dhe të kemi diçka që është vërtet një vend i mirë për njerëzit, por jo, nuk kemi ofruar asgjë”, u tha ai gazetarëve në bazën Andrews.

Trump më herët të mërkurën tha se negociatat janë në fazat e tyre “përfundimtare”, por këmbënguli se nuk është “me nxitim” për t’i përmbyllur ato.

“Thjesht pyes veten nëse ata kanë në mendje të mirën e popullit, sepse disa nga gjërat që po bëjnë, për mua do të thotë se nuk e kanë të mirën e popullit, dhe ata duhet ta kenë të mirën e popullit. Ka shumë zemërim tani në Iran, sepse njerëzit po jetojnë shumë keq”, tha Trump.

Më herët sot, ministri i Brendshëm i Pakistanit Mohsin Naqvi mbërriti në Teheran për vizitën e tij të dytë në Iran brenda më pak se një jave, raportoi transmetuesi shtetëror iranian IRIB. Pas mbërritjes, Naqvi u takua me homologun e tij iranian Eskandar Momeni në Ministrinë e Brendshme.

Pakistani ka luajtur rol kyç në ndërmjetësimin e përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës SHBA-Izrael kundër Iranit.

Tensionet rajonale u përshkallëzuan më 28 shkurt, kur SHBA-ja dhe Izraeli ndërmorën sulme të befasishme ndaj Iranit, duke e shtyrë Iranin të përgjigjej me sulme me dronë dhe raketa që goditën objektiva në gjithë rajonin, ndërsa Teherani mbylli Ngushticën e Hormuzit.

Një armëpushim hyri në fuqi më 8 prill përmes ndërmjetësimit të Pakistanit, por bisedimet në Islamabad nuk arritën të sjellin një marrëveshje të qëndrueshme. Trump më vonë e zgjati armëpushimin në afat të pacaktuar, duke mbajtur njëkohësisht një bllokadë mbi anijet që udhëtojnë drejt ose nga portet iraniane përmes këtij korridori strategjik ujor.

I pyetur nëse është në të njëjtën linjë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për Iranin, Trump u përgjigj shkurt: “Po”.

“Ai do të bëjë çfarë të dua unë. Është një njeri shumë, shumë i mirë”, tha Trump.

Më vonë, gjatë një fjalimi për të diplomuarit në Akademinë e Rojës Bregdetare në Connecticut, Trump përsëriti pretendimet për dobësimin e ushtrisë iraniane, duke shtuar: “E vetmja pyetje është, a e përfundojmë punën, apo ata do të nënshkruajnë një dokument? Le të shohim çfarë ndodh”.

“I kemi goditur shumë fort. Mund të na duhet t’i godasim edhe më fort, por ndoshta jo. Ne nuk do të lejojmë që Irani të ketë armë bërthamore dhe të shkatërrojë gjithë Lindjen e Mesme, Izraelin”, tha ai.


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit