Heshtja që turpëron Shqipërinë!


E enjte, 21 Maj 2026
Heshtja që turpëron Shqipërinë!

Në mbrojtjen servile të Izraelit, Tirana harroi qytetarin e saj

Në histori ka momente kur heshtja bëhet më e rëndë se vetë fjala. Momente kur mungesa e reagimit nuk është më neutralitet diplomatik, por bashkëfajësi morale. Videoja skandaloze e publikuar dje nga ministri izraelit Itamar Ben Gvir, është pikërisht një prej atyre çasteve që ndajnë qartë qeveritë dhe njerëzit mes atyre që kanë ende ndjeshmëri njerëzore dhe atyre që kanë zgjedhur të heshtin përballë poshtërimit.

Pamjet ishin tronditëse. Aktivistë të lidhur, të gjunjëzuar, me fytyrën përdhe, të trajtuar si trofe lufte. Njerëz të paarmatosur që kishin marrë rrugën e detit për të çuar ushqime dhe ilaçe në Gaza, të ekspozuar publikisht në një skenografi force dhe frike.

Dhe mbi ta, një ministër ekstremist që buzëqesh, valëvit flamurin izraelit dhe shpall me arrogancë: “Jemi ne zotër këtu!”. Kjo nuk është më çështje sigurie. Nuk është “mbrojtje e kufijve”. Nuk është as luftë kundër terrorizmit.

Kjo është estetika e poshtërimit publik, demonstrimi i pushtetit mbi trupin dhe dinjitetin njerëzor. Është momenti kur një regjim brutal nuk kënaqet më duke ndaluar apo arrestuar, por kërkon të thyejë moralisht njeriun, ta ulë në tokë dhe ta përdorë si dekor propagande.

Historia europiane i njeh shumë mirë këto pamje. I ka parë në epoka që njerëzimi premtoi se nuk do të përsëriteshin më. Prandaj reagimi ndërkombëtar ishte kaq i fortë. Italia reagoi menjëherë.

Presidenti Sergio Mattarella foli për “trajtim të pacivilizuar”. Giorgia Meloni dhe Antonio Tajani e quajtën videon “të papranueshme”. Ambasadori izraelit u thirr për sqarime. Franca dhe Spanja bënë të njëjtën gjë. Edhe brenda vetë Izraelit pati zëra që dënuan spektaklin makabër të Ben Gvir.

Por në këtë histori ekziston edhe një turp tjetër: heshtja e qeverisë shqiptare. Mes aktivistëve të dhunuar e poshtëruar ishte edhe shqiptari Baki Goxhaj. Ai nuk mbante armë, nuk ishte pjesë e ndonjë organizate terroriste dhe nuk përbënte kërcënim për askënd.

Ishte pjesë e një misioni humanitar për Gazën. Dhe megjithatë ai u trajtua si objekt propagande në një video që synonte të demonstronte forcë, frikë dhe nënshtrim. Po ku ishte shteti shqiptar? Asnjë reagim serioz. Asnjë protestë diplomatike. Asnjë thirrje ambasadori. Asnjë deklaratë e qartë në mbrojtje të dinjitetit të një qytetari shqiptar.

Ministria e Jashtme u mjaftua vetëm me një deklartë të thatë orët e vona të mbrëmjes së djeshme, ku thoshte se “vazhdon të ndjekë më vëmendje e përparësi situatën lidhur me shtetasin shqiptar, z. Baki Goxhaj, pjesëmarrës në flotiljen Sumud, i ndaluar nga autoritetet izraelite së bashku me të gjithë pjesëmarrësit e tjerë”, dhe se do të punojë “për të mundësuar kthimin sa më të shpejtë dhe të sigurt të shtetasit shqiptar në atdhe”.

Por heshtja në raport me atë që u pa dje është skandaloze. Jo vetëm sepse bie në kontrast të plotë me reagimin e Italisë dhe shumë vendeve të tjera evropiane, por sepse zbulon krizën morale të një qeverie që flet pa pushim për “vlera europiane”, por zhduket kur duhet të mbrojë konkretisht dinjitetin njerëzor.

Edi Rama pëlqen të shfaqet si lider global, si një njeri i progresit dhe i lirive. Por kur vjen momenti për të ngritur zërin përballë një padrejtësie të dukshme, ai dhe qeveria e tij futen në heshtjen sterile të llogarive diplomatike. Dhe kjo heshtje nuk është maturi. Është frikë politike e maskuar si diplomaci.

Një shtet serioz i mbron qytetarët e vet, pavarësisht bindjeve të tyre politike. Një shtet serioz reagon kur ata poshtërohen publikisht. Një shtet serioz nuk pret të shohë nga fryn era ndërkombëtare përpara se të flasë. Por Shqipëria e sotme duket se ka zgjedhur një rrugë tjetër: të jetë gjithmonë e kujdesshme me të fortët dhe gjithmonë e ftohtë me qytetarët e saj.

Dhe kjo heshtje bëhet edhe më e rëndë përballë katastrofës humanitare në Gaza. Prej muajsh po bota sheh fëmijë të vrarë, spitale të shkatërruara, njerëz të uritur dhe një territor të kthyer në gërmadhë. Kushdo që guxon të kërkojë ndihma humanitare shpallet armik.

Kushdo që proteston etiketohet si mbështetës i terrorizmit. Në këtë klimë histerie nacionaliste, figura kriminale e gjenocidiste si Ben Gvir janë bërë simboli më brutal i ekstremizmit shtetëror. Por historia nuk mban mend vetëm ata që kryejnë padrejtësinë. Historia kujton edhe ata që heshtin përballë saj.

Dhe ndoshta ky është aspekti më i dhimbshëm i kësaj historie: fakti që poshtërimi i Baki Goxhajt nuk mbaroi në portin e Ashdodit. Ai vazhdon në heshtjen e një qeverie shqiptare që nuk pati as guximin minimal për të thënë një fjali në mbrojtje të tij. tesheshi


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit