Millatoviq: Pavarësinë e Malit të Zi ta shndërrojmë në jetë më të mire dhe lirinë në drejtësi


E enjte, 21 Maj 2026
Millatoviq: Pavarësinë e Malit të Zi ta shndërrojmë në jetë më të mire dhe lirinë në drejtësi

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, me rastin e 20-vjetorit të rivendosjes së pavarësisë, tha se detyra e shtetit është ta shndërrojë pavarësinë në cilësi më të mirë të jetës për qytetarët, lirinë në drejtësi dhe perspektivën evropiane në rezultate konkrete, transmeton Anadolu.

Në urimin drejtuar qytetarëve, Millatoviq tha se ka ardhur koha që shoqëria të tregojë pjekuri politike dhe institucionale, duke theksuar nevojën që ligjet të vlejnë njësoj për të gjithë, pa dallim qyteti, statusi apo funksioni.

“Njëzet vjet pas rivendosjes së pavarësisë, jemi mjaft të rritur për të kaluar provimin e pjekurisë, që ligjet të vlejnë njësoj në Podgoricë, Pljevlja, Nikshiq, Rozhajë, Ulqin dhe Cetinë, si dhe për të gjithë qytetarët, pa përjashtim”, tha ai.

Ai shtoi se shteti duhet të sigurojë arsim cilësor, sistem shëndetësor efikas dhe mundësi të barabarta për të rinjtë, në mënyrë që të parandalohet largimi i tyre nga vendi, duke theksuar se puna e ndershme duhet të ketë përparësi ndaj lidhjeve politike dhe personale.

Millatoviq rikujtoi se qytetarët i kanë besuar mandatin tre vjet më parë për të mbrojtur Kushtetutën dhe për të forcuar institucionet e pavarura, duke theksuar se do të vazhdojë të kthejë ligje që, sipas tij, janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe interesin e shtetit dhe qytetarëve.

“Do të vazhdoj të kthej ligjet që shkelin Kushtetutën dhe që janë kundër interesit të qytetarëve, sepse përgjegjësia është kyçe kur institucionet përpiqen të fshihen pas tregtisë politike”, tha ai.

Duke folur për perspektivën evropiane, ai njoftoi ardhjen e liderëve evropianë në Tivat, duke theksuar se Mali i Zi ka ambicie të bëhet anëtar i BE-së si shtet i rregulluar, solidar dhe ekonomikisht i fortë.

Ai shtoi se një shtet i tillë nënkupton drejtësi funksionale, arsim cilësor, shëndetësi të qasshme dhe institucione në shërbim të qytetarëve.

“Mali i Zi është shtëpia jonë e përbashkët, që ruhet me punë, rend dhe përgjegjësi. Gëzuar Ditën e Pavarësisë. Qoftë i përjetshëm Mali i Zi”, tha Millatoviq.

Mali i Zi rivendosi pavarësinë në referendumin e mbajtur më 21 maj të vitit 2006, kur shumica e qytetarëve votuan për daljen nga bashkësia shtetërore me Serbinë.


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit