E enjte, 21 Maj 2026

Pika ushtarake, tarifa kalimi dhe marrëveshje diplomatike
Ngushtica e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë, po kalon gradualisht nën kontroll gjithnjë e më të fortë iranian, ndërsa lufta dhe tensionet në rajon kanë krijuar krizën më të rëndë energjetike globale të viteve të fundit.
Sipas një investigimi të agjencisë Reuters, Teherani ka ndërtuar një sistem të ndërlikuar autorizimesh, kontrollesh ushtarake dhe marrëveshjesh diplomatike për çdo anije që kërkon të kalojë nëpër Hormuz. Rasti më i qartë është ai i cisternës “Agios Fanourios I”, një anije 330 metra e gjatë e ngarkuar me 2 milionë fuçi naftë irakiane me destinacion Vietnamin.
Anija kishte mbetur e bllokuar pranë brigjeve të Dubait që nga fundi i prillit dhe vetëm më 10 maj mori leje për të hyrë në korridorin detar të kontrolluar nga Irani, pas negociatave direkte mes Bagdadit dhe Teheranit, të mbikëqyrura nga kryeministri irakian Mohammed Shia al-Sudani.
Kalimi, që normalisht zgjat rreth pesë orë, u kthye në një operacion dyditor. Gjatë lundrimit pranë ishullit Hormuz, mjetet e shpejta të Gardës Revolucionare Iraniane ndaluan cisternën për kontroll, pas dyshimeve për kontrabandë. Pas disa orësh inspektime, anija mori autorizim për të vazhduar rrugën.
Sipas burimeve të cituara nga Reuters, Irani tashmë kontrollon de facto hyrjen dhe daljen e anijeve në ngushticë përmes një sistemi me disa nivele. Fillimisht bëhet verifikimi i lidhjeve politike dhe ekonomike të anijes.
Prioritet kanë anijet e lidhura me Kinën dhe Rusinë, më pas ato nga vende me marrëdhënie të mira me Teheranin si India, Pakistani dhe Vietnami. Vetëm më pas vijnë marrëveshjet individuale shtetërore.
Në fillim të majit, sipas ushtrisë amerikane, rreth 1.500 anije me afro 22.500 marinarë mbetën të bllokuar në Gjirin Persik për shkak të rrezikut në Hormuz. Analiza e kompanisë amerikane “SynMax Intelligence” tregoi se nga 18 prilli deri më 6 maj vetëm 60 anije arritën të kalonin ngushticën, ndërsa para konfliktit qarkullonin mesatarisht 120 deri në 140 anije në ditë, gjysma e tyre cisterna nafte.
Hetimi gazetaresk i Reuters zbulon se për shumë anije kërkohet dorëzimi i një dokumenti të quajtur “affiliation document”, ku deklarohen pronarët, ekuipazhi, origjina e ngarkesës, flamuri i anijes dhe destinacioni final.
Garda Revolucionare dhe autoritetet iraniane analizojnë nëse ekziston ndonjë lidhje me SHBA-në ose Izraelin. Procesi mund të zgjasë deri në një javë dhe shpesh shoqërohet me inspektime fizike të anijeve.
Dy burime evropiane të transportit detar, kanë deklaruar se disa kompani po paguajnë deri në 150 mijë dollarë për të siguruar kalim të qetë nëpër Hormuz. Zyrtarë iranianë e kanë përshkruar këtë si “tarifa sigurie dhe navigimi”, megjithëse ligji ndërkombëtar nuk lejon pagesa për kalim në ngushtica ndërkombëtare.
India, e cila importon rreth 90 për qind të nevojave të saj për naftë dhe 50 për qind të gazit, ka krijuar një kanal të drejtpërdrejtë koordinimi me Teheranin. Sipas zyrtarëve indianë, kapitenëve u jepen koordinata të sakta lundrimi dhe urdhërohen të fikin transponderët e pozicionimit gjatë kalimit.
Deri më 14 maj, 13 anije me flamur indian kishin kaluar Hormuzin, ndërsa 13 të tjera mbeteshin të bllokuara. Anijet që kalojnë korridorin iranian duhet të ndjekin pika kontrolli pranë ishujve Abu Musa, Greater Tunb dhe Larak, ku ndodhen patrulla të armatosura iraniane.
Analistët e sigurisë vlerësojnë se Teherani po përdor kombinimin e forcës ushtarake, diplomacisë dhe kontrollit energjetik për të zgjeruar ndikimin në rajon dhe në tregjet globale të energjisë. tesheshi
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
