Mbërrijnë në Turqi aktivistët e Flotiljes “Sumud”, mes tyre edhe shqiptari Baki Goxhaj


E premte, 22 Maj 2026
Mbërrijnë në Turqi aktivistët e Flotiljes “Sumud”, mes tyre edhe shqiptari Baki Goxhaj

Aktivistët flasin për dhunë dhe keqtrajtim pas ndalimit nga forcat izraelite në ujërat ndërkombëtare

Qindra aktivistë ndërkombëtarë të flotiljes humanitare “Global Sumud”, e nisur drejt Gazës për të sfiduar bllokadën izraelite dhe për të dërguar ndihma humanitare, kanë mbërritur në Turqi pas deportimit nga autoritetet izraelite.

Aktivistët u transportuan me tre fluturime të Turkish Airlines nga Aeroporti Ramon në jug të Izraelit drejt Stambollit, pas koordinimit të operacionit nga Ministria e Jashtme turke. Flotilja, e përbërë nga 50 anije dhe me 428 pjesëmarrës nga 44 vende të botës, ishte nisur nga Marmarisi i Turqisë javën e kaluar.

Sipas organizatorëve, misioni kishte karakter ekskluzivisht humanitar dhe synonte të tërhiqte vëmendjen ndërkombëtare mbi krizën në Gaza. Megjithatë, anijet u ndaluan nga forcat izraelite në ujërat ndërkombëtare, një ndërhyrje që ka shkaktuar reagime të forta dhe akuza për shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Pas mbërritjes në Stamboll, disa nga aktivistët dhanë dëshmi për trajtim të dhunshëm gjatë paraburgimit. Një prej tyre deklaroi për mediat turke se aktivistët iu nënshtruan “abuzimit fizik, kufizimeve të zgjatura dhe keqtrajtimit”, ndërsa disa persona mbetën të plagosur gjatë operacionit izraelit.

Dëshmitë kanë ngritur shqetësime të reja për mënyrën se si trajtohen të ndaluarit në qendrat izraelite të paraburgimit. Autoritetet turke pritën aktivistët në Aeroportin e Stambollit, ndërsa disa prej të plagosurve u transferuan menjëherë në spitale për trajtim dhe ekzaminime mjekësore.

Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, kishte deklaruar më herët se Ankaraja po koordinonte kthimin e shtetasve turq dhe të pjesëmarrësve të huaj të flotiljes përmes një operacioni të posaçëm diplomatik dhe logjistik.

Mes aktivistëve të rikthyer ndodhet edhe shqiptari Baki Goxhaj, i cili ka mbërritur në Turqi pas disa ditësh pasigurie për fatin e tij. Lajmi u konfirmua nga bashkëshortja e tij, Eriselda Balliu, e cila tha se kishte komunikuar me të përmes një video-telefonate.

Sipas Balliut, kontakti i parë me Goxhajn u realizua përmes telefonit të konsullit shqiptar në Turqi. Ajo tregoi se aktivisti shqiptar është në gjendje të mirë shëndetësore, por ka rrëfyer se është keqtrajtuar gjatë ndalimit nga forcat izraelite.

Balliu tha se situata për disa aktivistë të tjerë ishte edhe më e rëndë. Sipas saj, kapitenia e anijes me të cilën udhëtonte Goxhaj është plagosur pasi është goditur me plumba plastikë gjatë ndërhyrjes dhe aktualisht po merr trajtim mjekësor.

Ndalimi i flotiljes “Sumud” ka shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare, ndërsa organizatat humanitare dhe grupet për të drejtat e njeriut po kërkojnë hetim të plotë mbi ndërhyrjen izraelite dhe trajtimin e civilëve në bord.

Për shumë prej aktivistëve, misioni nuk kishte vetëm karakter humanitar, por edhe simbolik: të sfidonte izolimin e Gazës dhe të tërhiqte vëmendjen e botës mbi krizën humanitare në territorin palestinez. tesheshi


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit