Italia kërkon nga BE sanksione ndaj neo-nazistit Ben Gvir


E shtunë, 23 Maj 2026
Italia kërkon nga BE sanksione ndaj neo-nazistit Ben Gvir

Roma zyrtare përshkallëzon përplasjen me Tel Avivin pas keqtrajtimit të aktivistëve të Flotiljes Sumud

Italia i ka kërkuar zyrtarisht Bashkimit Evropian vendosjen e sanksioneve ndaj ministrit izraelit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, pas incidenteve të lidhura me ndalimin e aktivistëve të Flotiljes së Lirisë në ujërat ndërkombëtare.

Kërkesa u bë publike nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, i cili deklaroi se Roma i ka kërkuar përfaqësueses së lartë të BE-së për politikën e jashtme, Kaja Kallas, që çështja të futet në axhendën e mbledhjes së ardhshme të ministrave të Jashtëm të unionit.

Sipas Tajanit, sjellja e autoriteteve izraelite ndaj aktivistëve ndërkombëtarë përbën “shkelje të të drejtave themelore të njeriut”, ndërsa ai dënoi veçanërisht publikimin nga Ben Gvir të një videoje ku aktivistët shfaqeshin të gjunjëzuar, me duart e lidhura dhe nën tallje publike.

Diplomacia italiane e konsideron këtë një akt poshtërues dhe të papranueshëm, që ka shtuar tensionet mes Romës dhe qeverisë së Benjamin Netanyahut.

Videoja e publikuar në rrjetet sociale nga Ben Gvir tashmë është marrë në shqyrtim nga Prokuroria e Romës, e cila ka hapur hetime mbi trajtimin e aktivistëve italianë dhe ndërkombëtarë të ndaluar gjatë operacionit izraelit ndaj flotiljes.

Hetuesit italianë pritet të analizojnë materialet filmike dhe dëshmitë e aktivistëve të kthyer në Itali, mes tyre deputeti i Lëvizjes Pesë Yje, Dario Carotenuto, si dhe gazetari Alessandro Mantovani.

Të dy kanë rrëfyer për media italiane se gjatë ndalimit janë rrahur, lidhur me pranga në duar dhe këmbë dhe mbajtur në kushte çnjerëzore. Mantovani deklaroi se kishte parë persona me plagë serioze dhe dyshime për thyerje brinjësh e krahësh, ndërsa tha se ushtarët izraelitë ushtruan dhunë fizike ndaj pothuajse të gjithë të ndaluarve.

Edhe Carotenuto foli për trajtim degradues, duke pretenduar se u mbajt për orë të tëra në ambiente të ftohta dhe më pas u transportua si “kriminel” drejt aeroportit.

Ndërkohë, organizatat ligjore që përfaqësojnë aktivistët kanë ngritur padi në Itali me akuza për rrëmbim, torturë dhe shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Nuk përjashtohet mundësia që hetimet të zgjerohen edhe për akuza më të rënda, përfshirë tentativë vrasjeje dhe dhunë seksuale, bazuar te dëshmitë që po mblidhen nga pjesëmarrësit e flotiljes.

Në zhvillimet e fundit, Ministria e Jashtme italiane konfirmoi se të gjithë aktivistët e flotiljes, përfshirë shtetasit italianë, janë larguar nga Izraeli me fluturime çarter nga aeroporti i Eilatit. Edhe organizata izraelite për të drejtat e njeriut “Adalah” deklaroi se ndalimi i tyre ishte arbitrar dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Një tjetër çështje që vijon të mbetet e hapur është ajo e aktivistes izraelite Zohar Regev, e cila po përballet me procedura gjyqësore në Ashkelon. Avokatët e saj pretendojnë se akuzat ndaj saj janë absurde, pasi ajo u ndalua me forcë në ujërat ndërkombëtare dhe u transportua kundër vullnetit të saj në territorin izraelit.

Kërkesa italiane për sanksione ndaj Ben Gvir shënon një nga qëndrimet më të ashpra të një vendi të madh europian ndaj një anëtari të kabinetit izraelit që prej nisjes së luftës në Gaza, duke rritur presionin diplomatik ndaj Tel Avivit dhe duke hapur debat të ri brenda Bashkimit Evropian mbi raportet me qeverinë Netanyahu. tesheshi


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit