Paralajmërimi i frikshëm i Kasparovit: Sipas tij, këtë do bëjë Rusia këtij viti…


E shtunë, 23 Maj 2026
Paralajmërimi i frikshëm i Kasparovit: Sipas tij, këtë do bëjë Rusia këtij viti…

Ish-kampioni i shahut paralajmëron se Putin e ka të pamundur të ndalë luftën pa shpallur fitore

Ish-kampioni botëror i shahut dhe një nga kritikët më të njohur të Kremlinit, Garry Kasparov, ka paralajmëruar se Rusia mund ta zgjerojë luftën përtej Ukrainës dhe të godasë Evropën brenda këtij viti.

Në një intervistë për gazetën italiane La Repubblica, Kasparov tha se regjimi i Vladimir Putinit ndodhet në një pikë ku lufta është bërë kusht për mbijetesën politike të Kremlinit.

Kasparov e krahasoi luftën në Ukrainë me një kancer me të cilin mund të negociohet, por duhet “çrrënjosur para se të përhapet”. Ai paralajmëroi se rreziku i zgjerimit të konfliktit drejt vendeve evropiane është tashmë shumë i lartë.

“Putini nuk mund ta përfundojë luftën pa pretenduar fitore, por në këtë moment ai nuk është fitues”- deklaroi Kasparov. Sipas tij, historia ruse tregon se regjimet autoritare mund të mbijetojnë represionin dhe dhunën, por jo një luftë të nisur pa rezultat.

Kasparov theksoi se e gjithë shoqëria ruse po vihet në funksion të luftës. Ai pretendon se propaganda shtetërore nis që në kopshtet e fëmijëve dhe se Kremlini po ndërton një sistem të përhershëm militarizimi. Për këtë arsye, sipas tij, Rusia nën Putinin do të mbetet për shumë kohë në gjendje lufte.

Në intervistën për La Repubblica, opozitari rus e përshkroi presidentin rus si një lider që mbahet në pushtet vetëm përmes konfliktit. “Për një diktator si Putini, lufta është mënyra e vetme për të justifikuar qëndrimin në pushtet pas 26 vitesh”- u shpreh ai.

Kasparov paralajmëroi gjithashtu për pasojat që mund të sjellë kthimi i mijëra ushtarëve rusë nga fronti. Ai foli për një ushtri që, sipas tij, ka kryer krime lufte dhe që mund të kthehet në kërcënim edhe për vetë Rusinë. Nëse lufta ndalet, tha ai, shumë prej këtyre njerëzve do të kërkojnë një konflikt të ri.

Sipas tij, vendet baltike e kuptojnë më mirë se kushdo tjetër rrezikun që lufta të zgjerohet. “Kjo luftë vetëm mundet të zgjerohet!”- u shpreh Kasparov, duke shtuar se Evropa duhet të përgatitet për një përballje më të drejtpërdrejtë me Moskën.

Ai vlerësoi se, edhe pse Putini po e humbet gradualisht imazhin e liderit të pathyeshëm, regjimi vazhdon të kontrollojë fort aparatin e sigurisë dhe elitën ekonomike. Megjithatë, sulmet ukrainase ndaj rafinerive, tubacioneve dhe infrastrukturës energjetike po krijojnë tensione të reja brenda elitës ruse.

Kasparov beson se ndryshimi në Rusi nuk do të vijë nga protestat e brendshme. Sipas tij, aktualisht në vend “nuk ekziston asnjë embrion proteste”. Ai argumenton se vetëm një fitore e Ukrainës mund të ndryshojë klimën politike në Rusi dhe të dobësojë pushtetin e Putinit.

Në intervistën për La Repubblica, ai i bëri thirrje Perëndimit të mbështesë më fuqishëm Ukrainën dhe të mos kërkojë kompromise me Kremlinin. “Në luftë nuk ka një situatë gri. Ose fiton, ose humbet!”- nënvizoi Kasparov.

Ai kritikoi gjithashtu mungesën e vendosmërisë politike në Bashkimin Evropian, duke thënë se Evropa ka burimet e nevojshme për t’u përballur me Rusinë, por jo gjithmonë vullnetin politik. Sipas tij, fati i vetë idesë së Evropës varet nga rezultati i luftës në Ukrainë.

Kasparov kujtoi se prej më shumë se një dekade ka paralajmëruar për rrezikun që paraqet Putini për botën demokratike. “Shpresoj shumë të jem gabim këtë herë”- tha ai, por shtoi se mënyra e vetme për të shmangur një përshkallëzim më të madh është forcimi i mbështetjes ushtarake dhe politike për Ukrainën. /tesheshi


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit