E hënë, 13 Korrik 2026

Prokuroria Themelore në Pejë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet D.Q., nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, D.Q., në cilësinë e personit zyrtar, dyshohet se gjatë periudhës qershor-gusht 2025, në tri raste të ndara, ka pranuar në mënyrë të tërthortë përfitime në të holla nga një person i privuar nga liria.
“I pandehuri D.Q., në cilësinë e personit zyrtar, gjatë periudhës qershor-gusht 2025, në tri raste të ndara, dyshohet se ka pranuar në mënyrë të tërthortë përfitime në të holla nga një person i privuar nga liria, me qëllim që të vepronte në përputhje me detyrën e tij zyrtare, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme shuma të ndryshme parash”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas aktakuzës, me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale të marrjes së ryshfetit, të paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që D.Q. të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale që i vihet në barrë.
Përveç dënimit penal, Prokuroria ka kërkuar edhe shqiptimin e një dënimi plotësues.
“Prokurori i Shtetit i ka propozuar Gjykatës, përveç shqiptimit të dënimit penal, edhe shqiptimin e dënimit plotësues ‘ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik’, në përputhje me dispozitat e Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Aktakuza tani pritet të shqyrtohet nga gjykata kompetente, e cila do të vendosë për hapat e mëtejmë të procedurës penale. Në këtë fazë të procedurës, i pandehuri konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Burimi: klankosova
